Zyrtari i lartë i NATO-s dhe Drejtori i CIA-s në rajon, Selimi: Tregon shumë për situatën në Ballkanin Perëndimor
Gjatë kësaj jave Kosova dhe Serbia u vizitua nga ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge.
Ndërkaq Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns, pas vizitës në Bosnje e Hercegovinë pritet të vizitojë edhe Beogradin.
Të gjitha këto vizita të institucioneve më kredibile të sigurisë botërore në rajon, sipas ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, tregojnë shumë për situatën në të cilën gjendet Ballkani Perëndimor aktualisht.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Selimi, duke u thirrur në burime brenda Brukselit, ka njoftuar se rajonin në javët e ardhshme mund të vizitojnë edhe Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacionet i NATO-s, Tom Goffus dhe Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Stuart B. Munsch.
Çfarë tha Ruge gjatë qëndrimit në Kosovë e Serbi?
Në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Ruge, tha se ka ripërsëritur qëndrimin e Aleancës se vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, duhet të vijë përmes dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ruge theksoi se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.
“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, ka vlerësuar Ruge.
Ndërkaq pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Ruge ka thënë se pret nga Serbia që të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për sulmet e majit dhe të shtatorit të vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës.
Ruge ka përmendur sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj ushtarëve të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), dhe sulmin e armatosur të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë në Veri të Kosovës.
“Po ashtu kemi diskutuar çështjet rajonale, përfshirë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. NATO llogaritë në Serbinë që të ndihmojë të sigurojë përgjegjësi të plotë për aktet e dhunshme të majit dhe shtatorit të vitit 2023”, ka shkruar Ruge, vizita e të cilit vjen në mes të paralajmërimeve për përkeqësim të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht sa i përket Veriut.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë