Gjykata Speciale

ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit e Veselit


Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

ZPS-ja përmes dy kërkesave të ndara ka theksuar se ekziston rreziku që dy të akuzuarit të pengojnë procesin gjyqësor.

“Të kryejnë krime të tjera ose edhe të arratisen”, thuhet në kërkesën e ZPS-së.

“Asnjë nga modalitetet e lirimit me kusht nuk është në gjendje të zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet. Rreziqet përkatëse mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit të DhSK-së, siç është riafirmuar së fundmi nga ky Panel”, thuhet në dy kërkesat e ZPS-së.

Më 18 qershor, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ua kishin vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Për arsyet e përmendura më lart, paneli urdhëron këtu: Vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi dhe urdhëron Prokurorin Special të paraqesë dorëzimet për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Thaçi jo më vonë se të enjten, më 25 korrik 2024, në orën 16:00, me përgjigjen dhe kundërpërgjigjen që do të ndjekin afatin e përcaktuar në Rregullën 76”.

Sipas ZPS-së, paraburgimi ndaj tyre mbetet “proporcional” dhe “i arsyeshëm”.

Prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri tani janë dëgjuar 76 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore