Kosova

Zhytja e Kosovës në Borxhe


Banka Qendrore e Kosovës

Në pesë vjetët e fundit borxhi i përgjithshëm i Kosovës thuajse është dyfishuar.

Nga 850 milionë euro sa ishte, tani ka kaluar shifrën 1.5 miliard eurove, thuhet në raportin statistikor të publikuar nga Ministria e Financave të datës 5 maj 2021.

Muhamet Mustafa, profesor në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Albanian Post thotë se   arsyeja pse është rritur ky borxh viteve të fundit është vetëm për “mbulim të shpenzimeve buxhetore”.

Sipas profesor Mustafës, duhet të bëhet “një analizë se ku po përdorën këto mjete dhe të përcaktohet  destinimi i tyre”.

Ndërsa, Haki Shatri, ish-minitër i Financave, me humor, përshkruan politikat, sipas tij, jo të duhura ekonomike.

“Shteti nuk guxon të marrë borxhe për ‘vitra’, borxhet e fundit kanë shkuar pa bereqet” thotë Haki Shatri për Albanian Post.

Bazuar në dokumentin e ministrisë së Financave del që Kosova më së shumti borxh i ka Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim afro 380 milionë euro, pastaj Fondit Monetar Ndërkombëtar 339 milionë euro,  Banka Botërore me 241 milionë, pastaj Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim me 178 milionë, Bashkësisë Europiane 100 milionë dhe Banka Gjermane për Zhvillim 70 milionë.

Në kohën kur me Ministrinë e Financave udhëhiqte, Avdullah Hoti, borxhi i përgjithshëm ishte 852 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 ky borxh kap shifrën mbi 1.5 miliard euro, shprehur në përqindje të Bruto Produktit Vendor kjo përbën 21.78%.

Në lidhje me këtë shqetësim dhe mosmenaxhim të Borxhit Publik nga shteti i Kosovës ka folur për Albanian Post, Mustafë Kadrijaj, njohës i çështjeve ekonomike.

Ai potencoi se është jo stabiliteti politik i Kosovës që ka prodhua një situatë të tillë.

“Duke filluar nga vitit 2014-2015 kemi pasur qeveri aspak stabile, dhe sipas kësaj qeveritë nuk kanë arritur të bëjnë politika dhe strategji për të menaxhuar çështjen e borxheve me efikasitet”.

Futja e shteteve në borxhe, nuk është problem i jashtëzakonshëm, meqë edhe shtetet e pasura kanë borxhe të mëdha krahasuar me buxhetin e përgjithshëm, por problemi me rastin e Kosovës është se borxhi është krijuar jo si pasojë e investimeve, por e shpenzimeve operative dhe për paga.

Siç thekson edhe Kadrijaj “shteti duhet të marrë borxh vetëm për projekte që ngritin reputacionin shtetëror, ndonjë hekurudhë, ndonjë stadium ose ndonjë projekt kapital madhor”.

Kurse Shatri insiston se borxhi duhet të merret për ato projekte  “që gjenerojnë  fitim më shumë se vlera e kamatës, dhe për ato projekte që nxisin punësimin e njerëzve”.

Në lidhje me rritjen rapide të këtij borxhi, Kadrijaj shqetësim e sheh te qeveritë paraprake “ku secila qeveri ia ka bartur problemet qeverisë tjetër”.

“Shpresoj që qeveria aktuale të menaxhoj më mirë çështjen e borxheve” që ka shteti i Kosovës ndaj mekanizmave ndërkombëtar.

Kadrijaj u tërheqë vëmendjen politikbërësve që të menaxhojnë çështjen e borxheve mirë me arsyetimin se, “Kosova statusin politik ende nuk e ka të përfunduar”.

Në anën tjetër ish ministri Shatri thotë se qeveria aktuale nuk duhet të “na fusë në borxhe për të implementuar skema sociale dhe për të arritur paqen sociale”.

Shatri tregon edhe për rrezikun e mundshëm të borxhit në të ardhmen, “pasi që borxhi duhet të kthehet nesër dhe kjo u mbetët barrë gjeneratave të ardhshme”.

Qeveria e Kosovës e ka të përcaktuar me Ligjin për Borxhet Publike respektivisht neni 32, se tavani maksimal  hyrjes së shtetit në borxhe të përgjithshme  është “40% e Bruto Produktit Vendor”.

Me po të njëjtin ligj për çdo borxh të shtetit të Kosovës dhe entiteteve të saja financiare e politike, duhet ratifikimi me 2/3 në Kuvendin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore