Në fillim të kësaj jave, ekipet e Komandës së Rojës Bregdetare greke kthyen mbrapsht disa emigrantë në ujërat territoriale turke. Të paktën 19 prej tyre ngrinë për vdekje.
Të mbijetuarit e tjerë të kësaj sprove kanë deklaruar se i kanë keqtrajtuar në një kamp grek, madje u është mohuar ushqimi dhe uji.
Dëshmitë e emigrantëve
Riyaz A., nga Bangladeshi, kujton se ata hynë në Greqi më 31 janar dhe autoritetet greke i kapën dhe i dërguan në një kamp të nesërmen.
“Ata nuk na dhanë asgjë… as ushqim, as ujë, për tri ditë… Kishte shumë shi dhe ne nuk kishim rroba të përshtatshme për të na mbrojtur”, tha ai.
Autoritetet greke më vonë i shtynë ata në Turqi, tha ai, shkruan “Demirören News Agency”.
“Bëmë pushime të shkurtra për t’u çlodhur dhe më në fund hasëm në një automjet, të cilit i kërkuam ndihmë. Ne mbijetuam, por duam që bota t’i dëgjojë lutjet tona. Ne jemi njerëz, kjo nuk duhet të ndodhë”, shtoi ai.
Ndër të tjera, Riyaz u shpreh se, në grupin me të cilin udhëtoi kishte pakistanezë, afrikanë, nepalezë, afganë dhe të gjithë vdiqën.
“Na u refuzua ushqimi dhe uji. Ata nuk kishin mëshirë dhe i trajtonin të gjithë njësoj, pavarësisht nëse ishe burrë apo grua. Na hoqën rrobat! Na morën gjithçka, telefonat dhe madje edhe dorezat. Na kthyen lakuriq”, tha Ahmet Mustafa, një sirian.
Sipas Enver Yılmaz, një tjetër sirian, autoritetet greke i rrahën dhe u morën të gjitha sendet, përfshirë këpucët.
“Ishim 60 veta. Ata (autoritetet greke) na ndanë në grupe dhe na shtynë drejt kufirit me Turqinë. Ushtarët turq na morën dhe na çuan në një vend të ngrohtë. Ata na dhanë ushqim, madje edhe rrobat dhe këpucët e tyre”, tha Yılmaz.
Autoritetet turke më 2 shkurt e kishin akuzuar Greqinë se i lejoi emigrantët të vdisnin në të ftohtin e dimrit, pasi u hoqi rrobat dhe më pas i detyroi të ktheheshin përtej kufirit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com