Shqipëria

Zelensky vlerëson drejtimin “parimor” të Ramës: “I treguat botës se si ta trajtojë drejt Rusinë”


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar drejtuesin e seancës speciale Edi Rama për drejtimin e tij “parimor” të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“I nderuar Edi Rama, sot në Këshillin e Sigurimit i treguat botës se si ta trajtojë drejt Rusinë, gënjeshtrat dhe hipokrizinë e saj. Ju falënderoj që e drejtoni Presidencën në një mënyrë kaq parimore”, shkruan kreu i shtetit ukrainas në median sociale “X”.

Një përballje e ashpër retorike u regjistrua në krye të herës mes kryeministrit Rama dhe ambasadorit rus në Këshillin e Sigurimit.

Ky i fundit, e ka akuzuar Presidencën shqiptare për thyerje të rregullores së Këshillit të Sigurimit, me lejimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të folur përpara anëtarëve të Këshillit në rend.

Megjithatë, Rama e ka bërë të qartë se nuk ka asnjë shkelje të rregullores.

“Përkundrazi, nëse Rusia dëshiron që Zelensky të mos flasë i pari, atëherë çështja është e thjeshtë, pasi mjafton që agresioni ndaj Ukrainës të ndalojë”, theksoi kryeministri shqiptar.

Këtë, ambasadori rus nuk e ka pritur mirë dhe i ka kërkuar Ramës të mos sillet si lider i një shteti, por si President i Këshillit.

Në përgjigje të kësaj, Rama tha se nuk është ai që po sillet si kryeministër, por është përgjigjur në kapacitetin në të cilin ambasadori vetë e ka thirrur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore