Lajme

Zelanda e Re humbet apelin për të huajt e pasur pasi numri i vizave për investitorët bie


Izolimi gjeografik dhe qetësia politike i kanë dhënë Zelandës së Re një reputacion si një vend i shenjtë tërheqës për të pasurit.

Mirëpo, me aplikimet për viza investitore – vetëm 15 në gjashtë muaj – disa po ngrenë pyetjen nëse vendi e ka humbur tërheqjen e tij ndaj elitës globale.

Si para ashtu edhe gjatë pandemisë, një numër miliarderësh synonin Zelandën e Re duke aplikuar për viza ose shtetësi, duke ankoruar mega jahtet e tyre dhe duke u përpjekur për të ndërtuar bunkerë të mëdhenj në ultësirat e izoluara.

Mbërritja e tyre në Zelandën e Re ishte shpesh e diskutueshme, veçanërisht kur dukej se të huajt e pasur po përdornin pasurinë dhe fuqinë për të fituar hyrjen.

Në vitin 2017, qeveria u përball me pyetje të pakëndshme kur u zbulua se themeluesit të PayPal-it, miliarderit Peter Thiel, i ishte dhënë shtetësia pavarësisht se nuk i përmbushte kërkesat e qëndrimit.

Në vitin 2021, themeluesi i Google-it, Larry Page, mori vëmendje mediatike kur hyri në vend ndërkohë që kufijtë ishin të mbyllur.

Megjithatë, gjatë gjashtë muajve të fundit, vetëm një pjesë e vogël e njerëzve kanë aplikuar për vizën e re të investitorit të huaj, e cila formon rrugën më të lehtë drejt qëndrimit për njerëzit jashtëzakonisht të pasur.

Sipas Ministrisë së Biznesit, Emigracionit dhe Punësimit (MBIE), vetëm 15 persona kanë aplikuar për vizën e re që nga fillimi i saj gjashtë muaj më parë.

Referuar kritereve të reja, aplikantët duhet të investojnë të paktën 15 milionë dollarë për më shumë se tre vjet – vetëm gjysma e të cilave mund të jetë në investime pasive – ose 5 milionë dollarë nëse fondet shkojnë drejtpërdrejt në një biznes në Zelandën e Re.

Skema e vjetër kërkonte një investim prej 10 milionë dollarësh, por mund të vendosej në investime me rrezik shumë të ulët, si obligacionet e qeverisë.

Sakaq, rënia e aplikimeve për viza ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

“Bloomberg” deklaroi se “të huajt e pasur kundërshtojnë Zelandën e Re” dhe se “ultra të pasurit duket se po humbasin interesin” për vendin.

Më herët gjatë vitit, disa këshilltarë të emigracionit në Zelandën e Re vunë në dyshim nëse kategoria po funksiononte.

Cilësimet e reja të imigracionit ishin pjesë e një “rivendosjeje të gjerë të imigracionit” nga qeveria e Zelandës së Re në vitin 2021.

Kur u njoftuan, rregullat e reja u kritikuan. Që atëherë, një numër vendesh kanë rivlerësuar “vizat e arta”, me Mbretërinë e Bashkuar që e anuloi skemën e saj këtë vit, mes shqetësimeve rreth aplikantëve që e fitojnë pasurinë e tyre në mënyrë të paligjshme dhe marrëdhënieve diplomatike shumë të tendosura me Rusinë.

Nicola Tiffen, kryetare e Shoqatës së Zelandës së Re për Migracionin dhe Investimin, një organ i industrisë për këshilltarët e imigracionit, ka treguar se kërkesa për viza kishte qenë e ulët gjatë gjashtë muajve të fundit.

Kriteret e reja vendosin disa kërkesa më të vështira për investitorët, duke përfshirë kalimin në investime aktive, në vend të atyre pasive, me rrezik më të ulët.

“Kemi të bëjmë me një mjedis ekonomik global, i cili është jashtëzakonisht i paqëndrueshëm…ne kemi shkuar në 15 milionë dollarë dhe po kërkojmë nga njerëzit të vënë para në lloje të tilla investimesh me rrezik të lartë”, ka thënë ajo.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore