Shëndet

Zbulohet një trajtim për të përmirësuar simptomat e depresionit të rëndë


Një hulumtim ka zbuluar se një ilaç i bazuar në një përbërës të kërpudhave halucinogjene mund të përmirësojë simptomat e depresionit të rëndë deri në 12 javë.

Një tabletë 25 miligram psilocibine i vendos pacientët në një gjendje si ëndrra, duke e bërë terapinë psikologjike më shumë gjasa të ketë sukses.

Por studiuesit kanë ravijëzuar se efektet anësore afatshkurtra mund të jenë të frikshme dhe mbështetja duhet të jetë e konsiderueshme.

Sipas tyre, duhen ende studime më të zgjeruara me një ndjekje shumë më të gjatë.

Gati 100 milionë njerëz në mbarë botën kanë depresion serioz që nuk i përgjigjet asnjë trajtimi të disponueshëm. Dhe 30 për qind prej tyre tentojnë të vetëvriten.

Ka vite që efektet e psilocibinës në çrregullimet e shëndetit mendor studiohen. Më të fundit nga to kanë qenë premtuese, por shumë të reduktuara për të vlerësuar efektet e qëndrueshme.

Në studimin e fundit, të botuar në New England Journal of Medicine, dozat një miligram, dhjetë miligram dhe 25 miligram u testuan në një total prej 233 personash nga dhjetë vende në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Sakaq, rezultatet më të mira i dhanë dozat prej 25 miligram.

Shumica kishin qenë në depresion të rëndë për më shumë se një vit dhe ishin të moshës rreth 40 vjeç.

Pas një doze prej 25 miligram psilocibinë Comp360, së bashku me psikoterapi, një në tre nuk u diagnostikua më si depresion në tre javë.

Kurse një në pesë rezultuan pa ndonjë përmirësim të dukshëm në 12 javë.

Autori i studimit, James Rucker, ka treguar se ilaçi mendohet të ketë “një veprim të drejtpërdrejtë në tru, duke e vendosur atë në një gjendje më fleksibël dhe duke ofruar mundësi për terapi”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore