Njerëzit që nuk bëjnë gjumë të rregullt kanë prirje të kenë probleme me shikimin dhe janë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve të shikimit.
Gjumi për shumë pak orë ose i tepërt, gërhitja, përgjumja gjatë ditës dhe pagjumësia mund të rrisin rrezikun e glaukomës, një gjendje e zakonshme e syve që prek miliona njerëz dhe mund të çojë në verbëri.
Kjo sipas një studimi dhjetëvjeçar.
Rezultatet, të publikuara në revistën “BMJ Open”, sugjerojnë se njerëzit që nuk flenë shëndetshëm kanë një rrezik në rritje të zhvillimit të glaukomës.
Kjo mund të çojë në humbje të shikimit nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet herët.
Glaukoma ka të ngjarë të prekë 112 milionë njerëz në mbarë botën deri në vitin 2040.
“Gërhitja, përgjumja gjatë ditës, pagjumësia dhe kohëzgjatja e shkurtër/ e gjatë, individualisht ose së bashku, ishin të gjitha të lidhura me rrezikun e glaukomës” bëri me dije ekipi ndërkombëtar i akademikëve, i udhëhequr nga studiues nga Pekini, Kinë.
Studiuesit nënvizuan rëndësinë kritike të adoptimit dhe mbajtjes së modeleve dhe sjelljeve të shëndetshme të gjumit.
Hulumtimi ekzaminoi të dhëna nga 409 mijë e njerëz që po marrin pjesë në studimin e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar.
Njerëzit e moshës 40 deri në 69 vjeç u rekrutuan në studim midis 2006 dhe 2010 dhe u ndoqën deri në mars 2021 për të parë nëse ata ishin diagnostikuar me glaukoma.
Informacioni për zakonet e tyre të gjumit u mblodh kur ata iu bashkuan studimit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com