Shëndet

Zbulohet dëmtimi i vërtetë i trurit nga efektet afatgjata të COVID-it


Sa ndikon në trurin tonë COVID-i?

Dhe a është e mundur të matet ndikimi i tij në terma sasiorë?

Pyetja e shtruar nga shumë ekspertë që kanë luftuar për tre vjet me mjegullën njohëse të shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2 te pacientët me një infeksion që zgjat me muaj apo vite, tani ka gjetur një përgjigje konkrete.

Po, është e mundur të matet dëmi që shkakton COVID-i në aktivitetet tona njohëse: virusi mund të “djegë” 6 pikë IQ-je, dhe te pacientët e shtruar në terapi intensive, edhe 9.

Një studim anglez i botuar në New England Journal of Medicine ka zbuluar se testet njohëse të kryera në pothuajse 113 mijë njerëz në Britaninë e Madhe treguan se pacientët me simptoma të vazhdueshme pas COVID-it kishin një IQ ekuivalente me 6 pikë më të ulët se ata që nuk ishin infektuar kurrë.

Ata e kanë përshkruar “mjegullën njohëse”, si një ndjenjë e vazhdueshme e lodhjes mendore që prek të infektuarit nga virusi Sars-CoV-2 dhe në të vërtetë mund të zgjasë shumë pas shërimit nga infektimi.

Të prekurit e kanë më të vështirë të kryejnë aktivitetet e përditshme, madje edhe ato më të thjeshtat.

Simptomat kryesore janë vështirësia në përqendrim, konfuzioni mendor dhe deficiti i vëmendjes, të cilat mund të shoqërohen me ankth, pagjumësi dhe depresion.

Studimi Neuro-Covid Italy, i promovuar nga Shoqata Italiane e Neurologjisë (Sin) dhe i botuar në fund të vitit të kaluar në revistën Neurology, tregon se, pasi u prekën nga COVID-i, rreth 30% e njerëzve kishin probleme me kujtesën dhe 20% me vëmendjen.

Që virusi Sars-CoV-2 sulmon trurin, si gjatë infeksionit ashtu edhe më pas, u konfirmua edhe nga një studim i kryer nga Universiteti i Barcelonës dhe i botuar në revistën Disease Models & Mechanism.

Autorët demonstruan se në infektimin akut Sars-CoV2, shumica e strukturave të sistemit nervor qendror, preken nga fenomene të neuroinflamacionit, degjenerimit aksonal dhe gliozës së qelizave nervore, si formimi i zonave cikatrike.

Studimi i ri u nis me synimin për të matur dëmin e Long Covid në terma sasiorë. Për ta bërë këtë, studiuesit përfshinë 112 mijë e 964 të rritur që përfunduan një vlerësim njohës në internet gjatë pesë muajve të fundit të vitit 2022.

Gati 46 mijë prej tyre, ose 41%, thanë se nuk ishin infektuar kurrë. 46 mijë persona të tjerë të prekur raportuan se sëmundja e tyre zgjati më pak se katër javë.

Kurse afro 3 mijë e 200 pacientë përjetuan simptoma post-COVID që zgjatën katër deri në 12 javë pas infektimit, ndërsa rreth 3 mijë e 900 patën simptoma që zgjatën më shumë se 12 javë.

Madje në disa raste, një vit ose më shumë.

Nga këta, 2 mijë e 580 njerëz kishin ende simptoma post-COVID në kohën kur bënë testin njohës.

Shumë prej njerëzve të përfshirë në studim vinin  nga zonat e pasura sesa nga zonat me vështirësi ekonomike.

Testi që studiuesit zhvilluan dhe përdorën në studimet e mëparshme të pacientëve me lëndime të trurit, nga COVID-i ose kushte të tjera, përbëhej nga tetë detyra të dizajnuara për të vlerësuar aftësi të tilla si planifikimi hapësinor, arsyetimi verbal dhe përkufizimi i fjalëve, së bashku me disa aspekte të kujtesës.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore