Muzikë

Zbulohet data e rikthimit të festivalit “Coachella”


Lajm i mirë për të gjithë adhuruesit e festivaleve sepse një nga më të mëdhenjtë, ai i “Coachella-s” do të mbahet në muajin prill të vitit 2022.

“Goldenvoice” e cila meret me organizimin dhe promovimin e këtij festivali, ka zbuluar datën për rikthim pas dy vjetësh pauzë, si pasojë e pandemisë me COVID-19.

Vitin e ardhshëm, festivali do të zhvillohet nga data 15 prill deri më 24 prill, teksa biletat do të dalin në shitje që nga data 4 qershor e këtij viti.

“Coachella” fillimisht ishte planifikuar të mbahet në prillin e këtij viti por me vendimin e grupit organizativ, në muajin janar u njoftua anulimi i evenimentit.

Festivali i muzikës nuk ishte mbajtur as në vitin 2020, ani pse këngëtarët më me nam ishin rezervuar të performonin në skenën gjigande të tij, përfshirë këtu; Travis Scott, Rage Against the Machine e Frank Ocean.

Madje, për “Coachella-n” e vitit 2020 ishte planifikuar edhe një performancë surprizë nga ikona e muzikës pop, Lady Gaga.

“Coachella” nuk është festivali i vetëm i cili ka lajmëruar rikthim.

Pos këtij festivali, rikthim kanë shënuar edhe evenimentet e tjera të cilat do të mbahen gjatë këtij viti, të tilla si “Lollapaloza”,”Bonnaroo”, “Festivali i muzikës Pitchfork” si dhe “Gov Ball”.

Ndërsa, festivalet që kanë paralajmëruar mbajtje gjatë vitit të ardhshëm janë – “Primavera Sound” dhe “Glastonbury”.

Ndryshe, festovali i “Coachella-s” mbahet në “Empire Polo Club” në Indio të Californias, saktësisht në Luginën Coachella në “Shkretëtirën e Kolorados”.

Festivali ishte bashkë-themeluar nga Paul Tollett dhe Rick Van Santen në vitin 1999 dhe organizohet nga “Goldenvoice”, një filial i “AEG Presents”.

Ngjarja përfshin artistë muzikorë nga shumë zhanre të muzikës, duke përfshirë muzikën rock, pop, indie, hip hop dhe elektronike të vallëzimit, si dhe instalime arti dhe skulptura.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore