Lajme

Zbulohen ndryshime të habitshme në trurin e njerëzve modernë dhe të Neandertalëve


Prej kohësh Neandertalët janë portretizuar si kushërinjtë tanë mendjemprehtë.

Kurse tani kërkimet novatore kanë zbuluar dallime të habitshme në zhvillimin e trurit të njerëzve modernë dhe Neandertalëve.

Një studim i fundit ka përfshirë futjen e një gjeni të trurit të Neandertalit te minjtë, të rritur në laborator nga qelizat burimore njerëzore.

Eksperimentet zbuluan se versioni neandertal i gjenit ishte i lidhur me krijimin më të ngadaltë të neuroneve në korteksin e trurit gjatë zhvillimit.

Sipas shkencëtarëve, kjo mund të shpjegojë aftësitë njohëse superiore te njerëzit modernë.

“Bërja e më shumë neuroneve vendos bazën për funksione më të larta njohëse”, ka thënë Wieland Huttner, i cili drejtoi punën në Institutin Max-Planck të Biologjisë dhe Gjenetikës së Qelizës Molekulare.

Ai mendon se kjo është prova e parë bindëse që njerëzit modernë kanë aftësi njohëse më të mira se Neandertalët.

Njerëzit modernë dhe Neandertalët u ndanë në linja të veçanta rreth 400 mijë vjet më parë, me paraardhësit tanë që mbetën në Afrikë dhe Neandertalët lëvizën në veri në Evropë.

Afro 60 mijë vjet më parë, një migrim masiv i njerëzve modernë nga Afrika i solli të dy speciet ballë për ballë edhe një herë dhe ata u ndërthurën.

Njerëzit modernë të trashëgimisë jo-afrikane mbajnë një deri në katër për qind të ADN-së së Neandertalit.

Megjithatë, deri në 30 mijë vjet më parë, kushërinjtë tanë të lashtë ishin zhdukur si një specie e veçantë dhe pyetja se si ne ia kalonim Neandertalit ka mbetur mister.

“Një fakt konkret është se kudo që të shkonin homo sapiens, ata në thelb do të ishin jashtë konkurrencës së specieve të tjera atje. Është pak e çuditshme”, ka thënë profesori Laurent Nguyen, i përfshirë në kërkimin e fundit.

“Neandertalët ishin në Evropë shumë kohë përpara nesh dhe do të ishin përshtatur me mjedisin e tyre duke përfshirë patogjenët. Pyetja e madhe është pse ne ishim në gjendje t’i tejkalonim ata”, ka shtuar ai.

Disa argumentojnë se paraardhësit tanë kishin një avantazh intelektual, por deri vonë nuk ka pasur asnjë mënyrë për të testuar shkencërisht hipotezën.

Kjo ndryshoi në dekadën e fundit kur shkencëtarët renditën me sukses ADN-në e Neandertalit nga një gisht i fosilizuar i gjetur në një shpellë siberiane, duke hapur rrugën për njohuri të reja se si biologjia e Neandertalit ndryshonte nga e jona.

Sakaq, eksperimentet e fundit fokusohen në një gjen të quajtur TKTL1, i përfshirë në prodhimin neuronal në trurin në zhvillim.

Versioni neandertal i gjenit ndryshon me një shkronjë nga versioni njerëzor. Kur u fut te minjtë, shkencëtarët zbuluan se varianti i Neandertalit çoi në prodhimin e më pak neuroneve, veçanërisht në lobin frontal të trurit, ku qëndrojnë shumica e funksioneve njohëse.

Po ashtu ekipi testoi ndikimin e gjenit në njolla të indeve të rritura në laborator, që përsërisin strukturat bazë të trurit në zhvillim.

“Kjo na tregon se edhe pse nuk e dimë se sa neurone kishte truri i Neandertalit, mund të supozojmë se njerëzit modernë kanë më shumë neurone në lobin frontal të trurit, ku aktiviteti është më i lartë sesa neandertalët”, ka thënë Anneline Pinson, autorja e parë e studimit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore