Lajme

Zbarkojnë 455 migrantët e shpëtuar në Itali nga anija ‘Sea-Watch’


Anija Sea-Watch, e cila mbante 455 migrantë nga Libia, të cilët ishin shpëtuar në Detin Mesdhe, ka zbarkuar në portin Trapani në Sicili, Itali, të martën e 4 majit.

Kjo anije operohet nga një Organizatë Joqeveritare Gjermane.

Sipas një zëdhënësi të Sea-Watch, anija i shpëtoi migrantët në disa operacione në brigjet e Libisë gjatë fundjavës së kaluar, ndërsa po përpiqeshin të mbërrinin në brigjet evropiane.

Të parët që zbritën qenë të mitur të pashoqëruar, të cilët ishin shpëtuar gjatë pesë ditëve të fundit.

Migrantët e rinj ishin testuar për Covid-19 dhe do të dërgoheshin në një strukturë speciale pritjeje, njoftoi Sea-Watch në median sociale Twitter.

Organizata deklaroi se 454 migrantë në bord ishin “të lehtësuar dhe tepër të lumtur” që më në fund do të lejoheshin të zbarkonin në një vend të sigurt.

Sea-Watch tha që ekuipazhi i saj kishte shpëtuar 455 migrantë në gjendje të vështirë, në katër operacione të veçanta që nga e enjtja.

Një person u evakuua për shërbim mjekësor nga autoritetet italiane.

Kjo Organizatë kishte bërë thirrje që migrantët të lejohen të shkojnë në breg.

Kjo thirrje erdhi pasi ata përfshinin gra shtatzëna dhe fëmijë. Si dhe të mitur të pashoqëruar.

Sea-Watch tha se shumë ishin të traumatizuar si rezultat i kohës së tyre në Libi. Duke shtuar se disa ishin përpjekur tashmë të kalonin Mesdheun disa herë.

Një tjetër anije shpëtimi për migrantët, The Ocean Viking, e drejtuar nga grupi SOS Mediterranee, u ankorua në qytetin jugor të Sicilisë, Augusta me 236 persona gjatë fundjavës.

Migrantët vazhdonin të përpiqeshin për kalimin mesdhetar qendror nga Afrika e Veriut.

Deri më tani, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, rreth 10 mijë njerëz kanë mbërritur në Itali, gjatë këtij viti.

Thuhet se kalimi është një nga rrugët më të rrezikshme të migrimit në botë.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, numri i vdekjeve të migrantëve të regjistruar në Mesdheun Qendror që nga 1 janari është 503.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore