Prokuroria e Parisit ka njoftuar hapjen e një hetimi pas zbulimit të rreth 60 Yjeve të Davidit të pikturuar natën mes të hënës dhe të martës në muret e lagjes 14 të kryeqytetit.
Në Parisin e vitit 2023 – siç bënë nazistët në vitet 1930 në Gjermani për të treguar dyqanet e drejtuara nga hebrenjtë – disa njerëz të panjohur kanë përdorur Yjet e Davidit për të shënuar ndërtesat dhe bankat në Rue du Père-Corentin, Rue de la Tombe-Issoire dhe Rue Saint-Yves.
Hetimi është i hapur për “dëmtim të pasurisë së të tjerëve për shkak të origjinës, racës, përkatësisë etnike apo fetare”, krim i cili dënohet maksimalisht me katër vite burg dhe 30 mijë euro gjobë.
Kryetarja e qarkut, Carine Petit, ka dënuar “shenjat antisemite dhe raciste që kujtojnë metodat e përdorura në vitet 1930 dhe në Luftën e Dytë Botërore deri në shfarosjen e miliona hebrenjve”.
Sakaq, shërbimet e pastrimit u dërguan menjëherë në vend për të fshirë shënimet.
Që nga e hëna, shenja të ngjashme ishin gjetur në Saint-Ouen, Aubervilliers dhe Issy-les-Moulineaux, jashtë Parisit.
Që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, në Francë janë raportuar 819 akte antisemite dhe forcat e rendit kanë kryer 414 arrestime.
Vetëm në zonën e Parisit, janë regjistruar më shumë se 200 akte antisemite.
Shkollat, sinagogat dhe dyqanet hebreje po marrin kërcënime aktualisht në Paris dhe Benjamin Allouche, anëtar i komitetit ekzekutiv të Crif (Këshilli Përfaqësues i Institucioneve Hebraike në Francë) ankohet se “ka stres të dukshëm dhe të përhershëm”.
Shumë thonë se këto ditë ndjejnë se janë objektiv i akteve të mundshme terroriste ose antisemitizmit dhe po heqin dorë nga shenjat që mund t’i zbulojnë ata si hebrenj.
Që nga sulmi më 7 tetor, qeveria franceze ka forcuar masat e sigurisë rreth shkollave dhe sinagogave.
Por frika është se kërcënimet ndaj hebrenjve janë të destinuara të rriten në lidhje me operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza.
Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com