Shqipëria

Xhaçka nënshkruan librin e ngushëllimeve: Zemrat dhe mendjet tona janë me popullin turk


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një vizitë në ambasadën turke në Shqipëri, ku ka nënshkruar librin e ngushëllimeve për tragjedinë e ndodhur në Turqi.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke cituar njoftimin për shtyp.

Kryediplomatja shqiptare theksoi se Shqipëria ka ofruar asistencën e saj që në momentet e para dhe do të vazhdojë ndihmën e saj ndaj Turqisë edhe në të ardhmen.

“Ne e kemi ende të freskët në kujtimet tona tërmetin që goditi Shqipërinë dy vjet më parë dhe kujtojmë gjithashtu me mirënjohjen më të thellë ndihmën e ofruar nga populli dhe qeveria e Turqisë. Zemrat dhe mendjet tona janë me popullin dhe qeverinë e Turqisë”, u shpreh ajo.

Mijëra persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit prej 7.8 ballëve që preku Turqinë para pak ditëve.

Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen viktima me nënshtetësi shqiptare.

Ambasada dhe Konsullata e Republikës së Shqipërisë në Turqi janë në kontakt të vijueshëm me autoritetet turke ndërkohë që janë ndihmuar familjet për t’u lidhur me të afërmit e tyre në Shqipëri e Turqi, si dhe për lehtësimin e transportit të tyre nga zonat e tragjedisë.

Prej tre ditësh një skuadër prej 80 efektivë të Forcave të Armatosura, mjekë dhe ekspertë të kërkim-shpëtimit kanë mbërritur në Turqi ku janë angazhuar në operacionin humanitar krah autoriteteve turke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore