Tenistët rusë dhe bjellorusë do të kenë mundësi të garojnë në turneun e Wimbledon-it për vitin 2023.
Një prej katër konkurrimeve kryesore në glob, sa i përket sportit të tenisit dhe njëkohësisht më i vjetri, do të jetë i hapur për rusët dhe bjellorusët, me kushtin që ata të paraqiten si neutralë dhe pa simbolet kombëtare të shteteve të tyre.
Kjo, pasi Rusia është e angazhuar dhe fillestare e agresionit ndaj Ukrainës dhe Bjellorusia nga ana tjetër, është i vetmi vend, i cili e mbështet Moskën në këtë rrugëtim të vetmuar të ndërmarrë karshi fqinjëve.
Vitin e shkuar, pikërisht mbi këto baza, organizatorët e Wimbledon morën vendimin drastik për të përjashtuar tenistët e të dy kombësive nga garimi.
Kjo, pavarësisht se shumica prej tyre ishin të gatshëm të merrnin pjesë pa specifikuar simbolet e tyre kombëtare në kampionat.
“Ky nuk ka qenë një vendim i lehtë për t’u marrë nga ana jonë”, ka thënë Ian Hewitt, drejtuesi i klubit All England, i cili merr edhe vendimet sa i takon Wimbledonit.
Pavarësisht kësaj, ai e theksoi disa herë në një fjalë për media, se Ukraina e kishte mbështetjen e pakushtëzuar të tyre dhe se shoqata e dënonte tërësisht sulmin rus ndaj Kievit.
I njëjti vendim ndërkaq, do të vlejë edhe për turnetë e tjerë tenistik, ku përfshihen dy të rëndësishëm, si ai i Queen’s dhe Eastbourne.
Një kusht tjetër për garimin e tenistëve, përtej mosekspozimit të simboleve ruse dhe bjelloruse, është edhe mungesa e sponsorizimeve nga kompani me baza në të dy vendet, përtej faktit nëse ato janë apo jo të sanksionuara prej shteteve perëndimore.
Kjo gjë gjithsesi nuk do të paraqesë pengesë të lartë, pasi shumica e tenistëve me origjinë nga Rusia dhe Bjellorusia, luajnë në nivele profesioniste të larta dhe janë të lidhur kryesisht me kompani evropiane, apo amerikane, sa i takon sponsorizimit të tyre.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Gjimshiti, Bare, Manaj e Kumbulla humbasin Çekinë dhe Ukrainën prej dëmtimeve
-
Kur duhet të panikosen “Qytetarët” e Pep Guardiola-s
-
Nations League/ Strakosha e Fetai: Luajmë të përqendruar dy finale në shtëpi, kemi publikun tonë që do të na mbështesë
-
Parisi do të “blindohet” për ndeshjen Francë-Izrael