Stil

Will Smith përjashtohet nga Oscars për 10 vjet


Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka ndaluar Will Smith-in të marrë pjesë në çdo ngjarje të akademisë, përfshirë Oscars, për dhjetë vjet.

Njoftimi vjen afro dy javë pasi ai goditi Chris Rock-un në Oscar lidhur me një shaka për gruan e tij, Jada Pinkett Smith.

“Ky veprim që po ndërmarrim në përgjigje të sjelljes së Will Smith-it është një hap drejt një qëllimi më të madh për të mbrojtur sigurinë e interpretuesve dhe të ftuarve dhe për të rivendosur besimin në akademi”.

Kështu ka bërë me dije presidenti i organizatës, David Rubin dhe shefi ekzekutiv, Dawn Hudson.

Sakaq, 54-vjeçari Smith ka lëshuar menjëherë një deklaratë në të cilën ka thënë se e pranon dhe e respekton vendimin e akademisë.

Lajmi vjen një javë pasi Smith-i dha dorëheqjen nga akademia, duke i quajtur veprimet e tij “tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme”.

Me dorëheqjen, ai parandaloi atë që shumë prisnin të ishte pezullimi ose përjashtimi i tij i mundshëm nga akademia.

Përmes vendimit të akademisë, Smith-i konsiderohet i papërshtatshëm për nominimet e ardhshme për Oscar.

Kjo pasi kodi i brendshëm i sjelljes u jep liri drejtuesve të akademisë për masat disiplinore që mund të ndërmarrin për shkelje të standardeve të grupit.

Ato fillojnë nga një qortim i thjeshtë deri te përjashtimi dhe humbja e të drejtës për të marrë çmime Oscar në të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore