Aplikacione

WhatsApp-i pranon të jetë më transparent për ndryshimet e politikave, thotë Komisioni Evropian


Platforma WhatsApp ka rënë dakord të jetë më transparente në lidhje me ndryshimet në politikën e vet të privatësisë të prezantuara në vitin 2021.

Kështu ka bërë me dije Komisioni Evropian, pas ankesave nga organet e konsumatorëve në të gjithë Evropën.

Vitin e kaluar, Organizata Evropiane e Konsumatorit (BEUC) dhe Rrjeti Evropian i autoriteteve të konsumatorëve i thanë WhatsApp-it se nuk i kishte sqaruar ndryshimet në gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme.

Çka tregon se platforma ka shkelur ligjet e bllokut.

Por rregullatorët kombëtarë të anëtarëve të BE-së mund t’i sanksionojnë kompanitë për shkelje.

Ndaj dhe tani, WhatsApp-i ka rënë dakord të shpjegojë ndryshimet në kontratat e përdoruesve të BE-së dhe se si këto mund të ndikojnë në të drejtat e tyre.

Po ashtu ka rënë dakord të shfaqë dukshëm mundësinë që përdoruesit të pranojnë ose refuzojnë ndryshimet dhe të sigurojë që përdoruesit të mund të mbyllin lehtësisht njoftimet pop-up për përditësimet.

Gjithashtu ka konfirmuar se të dhënat personale të përdoruesve nuk ndahen me palë të treta ose kompani të tjera për qëllime reklamimi.

“Konsumatorët kanë të drejtë të kuptojnë se çfarë bien dakord dhe çfarë përfshin konkretisht kjo zgjedhje, në mënyrë që ata të vendosin nëse duan të vazhdojnë të përdorin platformën”, ka thënë Komisioneri Didier Reynders.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore