Kosova

Vuçiç po dëshiron aneksimin e Veriut sipas skenarit të Putinit, thotë Osmani


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për gazetën gjermane, Tagesspiegel, ka vlerësuar se Serbia nëpërmjet propagandës, gjoja se në Kosovë po bëhet diskriminim ndaj komunitetit serb, po synon të aneksojë Veriun e Kosovës.

Kjo propagandë, sipas Osmanit, është thurur sipas skenarit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit.

“Ai ka akuzuar Ukrainën për injorimin e të drejtave të pakicës ruse. Ai e përdori këtë si justifikim për aneksimin e paligjshëm të territoreve. Presidenti serb Aleksandr Vuçiç po përpiqet të bëjë pikërisht të njëjtën gjë. Qëllimi i tij është të aneksojë veriun e Kosovës. Ai kujdeset për territorin, jo për njerëzit”, tha ajo.

Për të dëshmuar të kundërtën e kësaj propagande, Osmani ka cituar edhe disa raporte të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE).

“Raportet e tyre tregojnë një rënie të vazhdueshme të krimeve kundër serbëve në Kosovë, si dhe të krimeve ndëretnike në përgjithësi”, shtoi ajo.

E pyetur se në këtë fazë nuk ka mundësi për paqe e pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë, Osmani ka potencuar se “nuk ka asnjë mënyrë për t’i arritur gjëra të tilla, derisa politikat në Serbi përcaktohen nga njerëz që ishin pjesë e regjimit të Millosheviç-it”.

“Jam e bindur se politikat e Vuçiç-it përfaqësojnë një nga rreziqet më të mëdha në planin afatgjatë – jo vetëm për Ballkanin perëndimor, por për të gjithë Evropën. Serbia në thelb shërben si një përfaqësuese ruse në Ballkan. Evropa duhet të trajtojë seriozisht kërcënimin e paraqitur nga autokratë si Vuçiç, të cilët mbështeten nga Rusia”.

Osmani s’e përjashton mundësinë që me zgjedhjen e Trump-it “mund të lindin disa sfida”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore