Shqipëria

Votohet unanimisht për rritjen e pagave të deputetëve dhe ministrave


Komisioni i Ekonomisë ka votuar këtë të martë të 23 majit në unanimitet të rrisë edhe rrogat e deputetëve dhe ministrave.

Ky vendim është marrë teksa po diskutohej projektligji për rritjen e pagave të të gjithë administratës.

Paga e një ministri, me vendimin e fundit, do të jetë rreth 345 mijë lekë bruto, ndërsa e një deputeti 330 mijë lekë bruto.

Diskutimi që nisi para zgjedhjeve u bllokua në këtë komision për shkak se deputetët kërkuan që të përfshiheshin edhe ata në skemën e rritjes së pagave.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka thënë se rritja e pagave për deputetët dhe ministrat do të bëhej në një moment të dytë.

“Paga në administratën publike do të shkojë në 900 euro në dy hapa. Hapi i parë sapo ka filluar dhe hapi i dytë do të jetë gjatë vitit të ardhshëm. Me përcaktimin e pagës së Presidentit si paga më e lartë, janë të lidhura edhe disa funksione të krijuara në kuadër të reformës në drejtësi. Praktikisht përfitojnë”, ka thënë ajo.

Kurse për sa i përket koeficentëve të pagës për pozicionet që kanë të bëjnë me institucionet e Kuvendit dhe Ekzekutivit, ajo ka thënë se janë përshtatur pa ndryshuar nivelin aktual të pagave për ta rikonsideruar në një moment të dytë.

Kjo për shkak se qëllimi ishte fokusimi te finalizimi i kësaj politike të re të rritjes së pagave për një kategori më të madhe përfituesish sikundër janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendrore dhe vendore.

“Ne donim që të gjithë kategoritë e tjera të përfitonin nga rritja e pagave dhe në përfundim të kësaj, do të sillnim një nisëm për rishikimin e koeficentëve për anëtarët e kabinetit dhe deputetët”, ka treguar ajo.

Sipas saj, qëllimi ka qenë që reforma të përfundonte dhe më pas të përcaktohej paga e ministrit dhe deputetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore