Vladimir Orliç, ish-Kryetar i Kuvendit të Serbisë, është emëruar në pozitën e Shefit të Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA).
Në këtë pozitë, Orliç do ta pasojë Aleksandër Vulin-in, aktualisht Zëvendëskryeministër i Serbisë, pas dorëheqjes që ai e kishte dhënë muaj më parë, pak kohë pasi që ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Ky vendim është marrë të mërkurën në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, e drejtuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pasi që të gjithë anëtarët e këshillit kanë dhënë pëlqimin e tyre që Orliç të jetë në krye të BIA-s.
Vladimir Orliç është një politikan serb, i cili që nga krijimi i Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e Vuçiç-it – është pjesë e saj.
Në vitin 2021, ai ishte zgjedhur edhe nënkryetar i SNS-së, ndërsa nga viti 2022 deri më 2024, Orliç ka qenë Kryetar i Kuvendit të Serbisë.
Orliç është i njohur nga publiku në Serbi për fyerjet dhe denigrimet e kundërshtarëve politikë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com