Shqipëria

Vjosa zyrtarisht Park Kombëtar, çfarë nënkupton?


Vjosa, e cila rrjedh e papenguar nëpër Shqipërinë e Jugut në Detin Adriatik, është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj evropianë që ende vazhdon të qëndrojë e egër.

Çka e bën atë shtysën kryesore për përpjekjet e ruajtjes edhe të lumenjve më të vegjël në të gjithë Ballkanin, të cilët gjithashtu mbeten relativisht të paprekur.

Tanimë, me shpalljen e Lumit Vjosa si Park Kombëtar, do të jetë parku i parë kombëtar i një lumi të egër të Evropës dhe i pashembullt për nga rëndësia ekologjike.

Me këtë akt do të mbrohen mbi 300 kilometër lumenj dhe përrenj, strehues të mbi 1 mijë e 100 speciesh, shumë prej të cilave konsiderohen të kërcënuara.

Vjosa është një “specie” e rrallë në kontinentin evropian, ku shumica e lumenjve janë të mbërthyer me diga.

I cilësuar si lumi i fundit i egër i Evropës, Vjosa e patrazuar nga ndotja rrjedh lirshëm pa pengesa për 170 milje duke iu dredhuar Shqipërisë deri në detin Adriatik.

Vjosa ka një digë, të ndërtuar në fund të viteve 1980 afër origjinës së saj në Malet Pindus përtej kufirit në Greqinë veriore, ku lumi njihet si “Aoos”.

Por, për pjesën tjetër të rrjedhës prej 170 miljesh, ai rrjedh lirshëm përmes një mozaiku të peizazheve malore shqiptare që përfshijnë kanione dhe pjesë lumore të thurura më shumë se një milje të gjerë.

Përveç vlerave ekologjike, lumi ka edhe vlera kulturore dhe ekonomike për më shumë se 60 mijë banorë, që punojnë dhe jetojnë në fshatrat që shtrihen përgjatë brigjeve të tij.

Një park kombëtar, teknikisht, ka mbrojtje ligjore kundër të gjitha projekteve të infrastrukturës, të tilla si hidrocentralet dhe aeroportet. Ndryshe nga një park natyror që nuk e ka këtë lloj mbrojtjeje.

Historikisht, zonat e mbrojtura janë projektuar për ekosistemet tokësore, jo lumenjtë që mund të përshkojnë ato.

Teksa disa parqe kombëtare evropiane janë emëruar pas lumenjve, ekziston vetëm një, Parku Kombëtar Danub-Auen në Austri, që mund të konsiderohet një park kombëtar lumor i vërtetë, pasi është i kufizuar në lumin Danub dhe habitatin e tij bregdetar.

Por, ai park mbulon vetëm një pjesë të Danubit, i cili përndryshe është një nga lumenjtë më të modifikuar në Evropë.

Tani, Vjosa Park Kombëtar bashkë me tre degë të tjera të lumit – lumi Drino, lumi Bënç dhe Shushica – bëjnë atë që quhet Parku i parë në Evropë i një lumi të egër.

Ndaj dhe shpesh degët – për nga rëndësia që kanë – cilësohen si “venat në trupin tonë që qarkullojnë gjak”.

Rrugëtimi

Në janar të vitit 2014, Vjosa tërhoqi për herë të parë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Asokohe kryebashkiakët dhe vendasit mbajtën konferencën e parë për shtyp në brigjet e Vjosës dhe i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama të refuzojë planet e digave dhe në vend të tij të krijojë një Park Kombëtar të Vjosës.

Një vit më pas, ligjvënësit e Bashkimit Evropian i bënë thirrje Qeverisë të ndalojë të gjitha planet e digave.

Protesta e parë ndërkombëtare do të shënohej në vitin 2016, ku Ramës iu dërgua edhe një peticion.

Në viti 2017 Gjykata Administrative në Tiranë vendosi në favor të EcoAlbania dhe përfaqësuesve vendorë ndalimin e një projekti digash.

Investitori turk, Ayen Enerji, dhe Ministria e Mjedisit apeluan vendimin e Gjykatës – që ende nuk është marrë.

Disa vite më pas në shkurt 2020 një nga peticionet më të mëdha shkencore në ekologjinë globale të ujërave të ëmbla bëri thirrje për të ndaluar projektet e digës së Vjosës në Shqipëri.

Kështu, në vitin 2020, Ministria e Mjedisit hodhi poshtë vlerësimin e ndikimit mjedisor të konsorciumit investitor turko-shqiptar dhe diga e propozuar e Kalicaçit nuk do të ndërtohet.

Gjërat morën një rrjedhë tjetër kur në mars të vitit 2021 Patagonia publikoi filmin e ri 6-minutësh “Vjosa Forever”.

Aty shpjegohej situata Shqipëri dhe u bëhej thirrje shqiptarëve dhe evropianëve që të përfshihen dhe të mbështesin mbrojtjen e lumit – i cili tashmë është zyrtarisht Park Kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore