Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë mbledhjes së parë të bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK), nën udhëheqjen e Dren Boshnjakut kanë diskutuar për kërkesat buxhetore për vitin 2025.
Vitia, premtoi se do të angazhohen për ta përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
“Përfshirë edhe shërbimet që ofrohen në klinikat e QKUK-së, spitalet e përgjithshme, por edhe krejt njësitë e ShSKUK-së, për të cilin është punuar edhe në Bord”.
“Gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues, raportoi drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së, për punën dhe aktivitetet e zhvilluara”, thuhet në komunikatën e ShSKUK-së.
Çështje e diskutimit në bord ka qenë edhe raportimi i auditimit të bërë për Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri.
“Në të cilin janë dhënë edhe vërejtjet, rekomandimet dhe sugjerimet”.
Ndërkaq, anëtarët kanë miratuar edhe rregulloren e re për përdorimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve në ShSKUK.
Më 20 qershor, kryesuesi i bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), është zgjedhur neurologu Dren Boshnjaku.
Përmes një votimi të fshehur që është mbajtur, Boshnjaku kishte marrë 6 vota, ndërsa një votë ka qenë e pavlefshme.
Emërimi i Boshnjakut, ka ardhur pas dorëheqjes së anëtarit Naim Bardiqit, e që në vend të tij në pozicionin e anëtarit ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte emëruar Besa Balidemaj, në mbledhjen e 13 qershorit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com