Kosova

Vitia garanton: S’do të ketë manipulime në listën e barnave dhe as rritje të çmimeve


Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, Bekim Haxhiu.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në Komisionin për Shëndetësi gjatë raportimit për listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale, ka premtuar se s’do të ketë tendenca për manipulim e s’do të ketë rritje të çmimeve të barnave – ndonëse e njëjta është anuluar me 7 qershor për shkak të parregullsive që ka pasur.

“Unë ju garantoj që nuk do të ketë qasje dhe as tendenca për manipulime. Nuk do të ketë as rritje të çmimeve të barnave, do të jemi të gjithë dëshmitarë në muajt e fundit të këtij viti kur do të filloj zbatimi i këtij ligji dhe do të jetë lista përfundimtare”, deklaroi ai.

Duke shtuar se, “të gjithë institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës, do t’i marrin barnat me çmim shumë të ulët, sesa që janë tani”.

Vitia: Nuk e di nëse Depoja e Barnave është dëmtuar nga uji – do ta verifikoj

Gjatë raportimit Vitia, është pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, rreth akuzave që depoja e barnave është fundosur nga uji për shkak të vërshimeve.

“Përse ruhen barnat në një depo ku depërton uji, e dihen kriteret që janë për një depo farmaceutike?”, ka qenë pyetja e Haxhiut.

Vitia, ka thënë se s’ka pranuar ndonjë informacione se kjo depo është fundosur nga uji nga vërshimet, duke thënë se do të angazhohet për të kuptuar nëse të njëjtat akuza janë të sakta.

“Unë nuk kam pasur lajmërim që është fundosur nga uji apo ka shkaktuar dëme, e cila besoj se nuk u kishte ikur zyrtarëve pa më informuar. Por, pas kësaj që ma thatë ju unë do ta verifikoj”.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, Bekim Haxhiu.

Për problemet e depove të barnave ai e ka vlerësuar vetën si tejet “të zëshëm”, për të zgjidhur problemet që ka pasur kjo depo ndër vite.

“Kam qenë i zëshëm që nga viti 2009-2010 për mënyrën se si janë ruajtur barnat. Asnjë depo deri tani nuk i ka plotësuar as për afërmi kushtet për ruajtën e barnave, për këtë arsye menjëherë në fillim të vitit të kaluar së bashku me AKP-në, kemi filluar bisedimet për transferimin e një objekti në Ministrinë e Shëndetësisë, që të nisim investimet”.

“Fatkeqësisht, aty pastaj ka dalur një pronë private, në të cilën pastaj e ka vonuar pak procesin sepse është dashur të bëhet zhvlerësimi, proces ky që ka përfunduar në një mbledhje të Qeverisë dhe tani jemi në procedura për investime në barnatore qendrore”, ka deklaruar Vitia.

Ndryshe, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind.

Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore