Ferrero ka tërhequr nga tregu i Britanisë së Madhe një sasi të konsiderueshme të vezëve të famshme Kinder, pasi kanë rezultuar të kenë gjurmë të bakterit vdekjeprurës Salmonela.
Sipas njoftimit nga Agjencia për Standardin Ushqimor (FSA) në Mbretërinë e Bashkuar, ka një lidhje të dukshme mes bakterit dhe vezëve.
Raste të shumta të fëmijëve, të cilët e kanë konsumuar produktin, janë raportuar në Britani.
Hetimet ndërkaq janë shtrirë midis disa agjencive, përfshi atë të Shëndetit Publik në Britani, Skoci, Uells dhe Irlande të Veriut.
Në këto vende janë raportuar po ashtu raste të shpërthimit të virusit të Salmonelës në vezët Kinder.
Sa i përket vetë kompanisë Ferrero, e cila e ka në pronësi markën Kinder, ka ardhur përgjigja e menjëhershme, duke hequr nga tregu paketime të tëra me vezë 20 gramëshe, datat e skandencës së të cilave varionte nga 11 korriku deri në 7 tetor 2022.
Po ashtu, në rast se ndonjë produkt në këto data nuk është tërhequr nga tregu, kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve të tregohen të vëmendshëm dhe të mos i konsumojnë ato.
Sipas FSA-së, të gjitha vezët me probleme janë prodhuar në një kompani të vetme. Pjesa tjetër e produkteve Ferrero ndërkohë, nuk kanë qenë të prekura nga këto problematika.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com