Kosova

Vetëvendosja arsyetohet përse nuk e realizoi koalicionin parazgjedhor me Guxo dhe Alternativën


Partitë Lëvizja Vetëvendosje, GUXO dhe Alternativa

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), është arsyetuar për mosrealizimin e koalicionit me partnerët në qeverisjen aktuale, Guxo dhe Alternativa duke thënë se për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare s’ka arritur që ta procedoj formalisht në KQZ.

Arsyetimin e ka dhënë VV-ja përmes një komunikate për media.

“Koalicioni ynë formal i dëshiruar nga të tri partitë tona, nuk ka mundur të procedohet sot formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare”.

“Ne jemi duke punuar intensivisht në hartimin e programit, me të cilin do të shpalosim së bashku ofertën tonë për qytetarët në zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, thuhet në njoftimin e tyre.

Lista që ia ka dëguar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Albanian Post-tit nuk e përfshin një koalicion mes partnerëve aktual në Qeveri.

Në zgjedhjet e 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mbi 50 për qind të votave, në listë kishin qenë zyrtarë të listës Guxo, të cilët gjatë mandatit të parë janë kthyer në parti politike.

Partitë Vetëvendosje (VV), Guxo dhe Alternativa kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë në politikën e Kosovës, veçanërisht gjatë zgjedhjeve dhe formimit të Qeverisë.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje (VV) garoi në një listë të përbashkët me Lëvizjen Guxo, një subjekt i udhëhequr nga presidentja Vjosa Osmani.

Pas fitores në zgjedhje, VV formoi qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, në këtë qeveri, anëtarë të Lëvizjes Guxo u përfshinë në pozicione kyçe qeveritare.

Osmani u zgjodh presidente e Kosovës me mbështetjen e VV-së dhe të deputetëve të tjerë, përfshirë ata nga Guxo dhe Alternativa.

Më 9 shkurt të 2025-së, do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore