Kosova

Vendimi i Qeverisë për vendosjen e kuotave në import “rëndon shportën e konsumit” dhe “shkakton kaos”


Foto: Albanian Post

Vendimi i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 7 gusht për vendosjen e kuotave në import po vlerësohet se përben një ndërhyrje të drejtpërdrejt në ekonominë e lirë të tregut, sipas organizatave të bizneseve dhe njohësve të kësaj çështje ky vendim i ekzekutivit do të shkaktoj kaos.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti,  përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ të martën ka sqaruar se ky vendim do të riorganizoj tregtinë me jashtë mes kompanive kosovare dhe vendeve nga vijnë importet si dhe do të pamundësoj importin me çmime më të lira.

Sipas Hotit, të gjitha pasojat do t’i bartin qytetarët.

“Pasojat do t’i bartin qytetarët pasi çmimet e mallrave nga importi do të rriten, duke e rënduar koston e shportës së konsumit. Është e pakuptueshme se si disa nga odat ekonomike nuk po reagojnë për këtë anomali në politikat tregtare”.

“Në vend të masave për mbështetje të prodhuesve vendor për të zëvendësuar mallrat nga importi, këta qeveritarë miratojnë udhëzime për administrim të importeve”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se në këto katër vite asnjë Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, s’ka pasur asnjë politikë ekonomike substanciale.

“Si rezultat, deficiti tregtar është thelluar për 2.2 miliardë euro. Sikur të ishin zbatuar vetëm masat e Politikës Fiskale 2.0, e lënë në gjysmë në Qeverinë Mustafa në vitin 2017, situata ekonomike do të ishte krejt ndryshe”.

Të njëjtat qëndrime si Hoti, i pati edhe klubi i biznesit të cilët thanë se është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në ekonominë e lirë të tregut.

Përmes një komunikate për media kjo organizatë e ka kundërshtuar fuqishëm këtë vendim.

“Udhëzimi administrativ Nr. O6/2024 i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e kuotave në import përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në ekonominë e lirë të tregut. Klubi i Biznesit dhe anëtarët e tij kundërshtojnë fuqishëm një vendim të tillë dhe i bëjnë thirrje qeverisë të rishikojë këtë çështje me seriozitet”, thuhet në komunikatën e tyre dërguar mediave.

Duke sqaruar se, “një vendim i tillë jo vetëm që prek funksionimin e një ekonomie të lirë, por gjithashtu sjell efekte anësore me pasoja negative. Në modelin ekonomik të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës, masa të tilla janë në kundërshtim të hapur me parimet themelore të ekonomisë së lirë të tregut”.

Ata kanë thënë se kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dialog të mirëfilltë publiko-privat për çështjet ekonomike.

“Ky vendim është shembulli i mungesës së këtij dialogu. Sektori privat, si shtylla kryesore e ekonomisë dhe kontribuesi më i madh në buxhetin shtetëror, duhet të ketë një zë të rëndësishëm në politikëbërjen ekonomike, me qëllim që këto politika të çojnë drejt prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik, ku konkurrenca e lirë dhe e barabartë janë parësore”.

Thirrja e tyre ka qenë që pushteti ta rishikojë këtë vendim pasi që minon ekonominë e lirë, një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta.

Më 9 gusht, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar këtë Udhëzim Administrativ për Administrimin e Kuotave të Importit.

Sipas komunikatës që është lëshuar nga ky dikaster me nënshkrimin e këtij udhëzimi, janë vendosur standarde dhe metoda të shpërndarjes së kuotave të importit.

Të njëjtit vlerësuan se janë bazuar në praktikat më të mira kombëtare e ndërkombëtare, marrëveshjet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore