Vendimi i Malit të Zi për të votuar pro rezolutës për Srebrenicën, Daçiç: I turpshëm dhe skandaloz
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se vendimi i Malit të Zi për të votuar pro rezolutës së OKB-së për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë është i “turpshëm” dhe “skandaloz”.
Këto komente, Daçiç i ka bërë për median e afërt me regjimin në Serbi “Kurir”, ku ka theksuar se është “e pabesueshme që një vend ku serbët përbëjnë më shumë se një e treta e popullsisë voton për një rezolutë që paraqet serbët si një komb gjenocidal”.
“Në të njëjtën kohë, kjo qeveri (e Malit të Zi) erdhi në pushtet kryesisht falë serbëve dhe luftës së tyre në lirinë e famshme. E turpshme dhe skandaloze”, pretendoi korrieri më i madh i propagandës serbe.
Ndryshe, kryeministri malazez Milojko Spajiç, ka njoftuar më herët se Mali i Zi do të votojë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pro rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë.
“Ne do të votojmë për këtë, por edhe për të gjitha rezolutat që dënojnë gjenocidin. Jemi njëqind për qind dakord me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”, ka thënë Spajiç nga foltorja e parlamentit malazez.
Pas kësaj, ka pasur reagime të ashpra nga zyrtarët e shtetit serb dhe çarqet nacionaliste, por të njëjtave u është kundërpërgjigjur Spajiç, duke theksuar se serbët nuk janë komb gjenocidal.
Kryeministri malazez këtë e ka thënë pasi që Serbia, përfshirë Daçiç-in, tentonin ta portretizonin mbështetjen e Spajiç-it për rezolutën për Srebrenicën, gjoja ai po e bënë gjithë popullin serb gjenocidal.
“Bazuar në amendamentet e propozuara në projekt-rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, askush nuk mund të thotë se Mali i Zi dënon popullin serb, Serbinë apo Republikën Srpska”, shkroi Spajiç në platformën X.
“Serbët në Mal të Zi përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë sonë dhe ne kurrë nuk duhet ta injorojmë këtë. Për ne serbët nuk janë dhe nuk mund të jenë një komb gjenocidal. Kjo nuk ekziston. Asnjë komb nuk është gjenocidal”, shtoi.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com