Vendimi i BE-së për pasaportat e serbëve “e bën Kosovën shtet me dykuptimësi dhe i legalizon strukturat paralele”, Qeveria Kurti dështoi t’i bindë evropianët
Vendimi i Këshillit Evropian për t’i njohur pasaportat ilegale serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd dhe për t’ua mundësuar serbëve të Kosovës të lëvizin pa viza në Zonën Schengen me to, mund të jetë edhe shtysë që serbët e Kosovës të mos e njohin shtetin e as të mos identifikohen me të, kanë thënë për Albanian Post njohës të aktualitetit politik.
Fajtor për këtë vendim po konsiderohet të jetë Qeveria Kurti, pasi që e njëjta s’arriti ta bindë Bashkimin Evropian se ky vendim është i gabueshëm – ndonëse të njëjtit e kishin kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thotë se ky vendim praktikisht edhe i legalizoi strukturat paralele të ish-administratës shtetërore serbe në Kosovës.
“Vendimi i sotshëm i Bashkimit Evropian për liberalizmin e vizave për serbët e Kosovës, që mbajnë pasaporta të lëshuara, jo nga organet shtetërore të Serbisë, por nga e ashtuquajtura Zyre për Kosovën, është një lloj stimulimi për serbët e Kosovës, që nuk kanë nevojë ta njohin shtetin e Kosovës dhe të mos identifikohen me të”.
“Sepse këtu nuk është fjala për pranimin e dy shtetësisë së këtij komuniteti që është e rregulluar me normat kushtetuese”, thotë Kasolli për AP.
Sipas tij, ky vendim ua hap rrugën serbëve që t’i respektojnë institucionet ilegale të Serbisë në Kosovë.
“Praktikisht i legalizon strukturat paralele të ish-administratës shtetërore serbe në Kosovë. Pa këtë vendim të paktën, serbët e Kosovës nuk do të inkurajoheshin t’i respektonin institucionet ilegale serbe në shtetin fqinj. Kështu, ato zyre do të shndërroheshin në disa bodrume koti, pa asnjë funksion publik”.
Në anën tjetër, analisti politik Dritëro Arifi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thotë se ky vendim tregon për dy problematike, duke i dhënë Kosovës një shtet me dy kuptime.
“Vendimi i BE-së e bënë Kosovën një shtet me dy kuptime: Edhe je i pavarur edhe nuk je i pavarur varësisht nga cili këndvështrim e sheh. Kjo i ka dy problematike në vetvete, e para është që e bën pasaportën e Kosovës të parëndësishme edhe Kosovën me dy kuptimësi. Në këtë kuptim i bie që edhe dialogu në njëfarë mënyre e humb kuptimin”.
Për Arifin, ky është një dështim tjetër i Qeverisë Kurti.
“Ndonëse, Qeveria e Kosovës s’është fajtore në mënyrë të drejtpërdrejt, është një dështim epokal i Qeverisë Kurti për shkak se s’ka arritur t’i bind evropianet që ky vendim është i gabueshëm, sepse e dëmton Kosovën edhe nga brenda edhe nga jashtë”
Ndërkaq, Kasolli thotë se vendimi është brenda logjikës juridike për të cilën është pajtuar edhe Qeveria e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në bazë të Marrëveshjes bazë të Brukselit, sipas planit Franko-gjerman.
“Ngase, që në preambulë të këtij dokumenti, thuhet palët janë pajtuar ‘pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të tyre në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit’. Pra a janë alogjike ankesat e Qeverisë së Kosovës me BE-ne, për këtë veprim se e cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës, kur e njëjta është pajtuar ndërkombëtarisht që ta lë hapur këtë mundësi”.
“Nuk mund të kërkosh, as nga serbët e Kosovës dhe as nga institucionet e BE-së që ta respektojnë atë për të cilën je dakoruduar se është punë e pa kryer”, sqaron Kasolli.
Qeveria e Kosovës, deklaronte se serbët po merrnin vazhdimisht pasaporta të Kosovës – madje për të njëjtat Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), kishte thënë se numri i kërkesave për pasaportë të Kosovës në Leposaviq është rritur 97 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Ndërsa, sipas të dhënave të tjera më shumë se 50 për qind kishin pasur interesim për pasaporta të Kosovës në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.
Pavarësisht deklaratave të institucioneve të Kosovës, Bashkimi Evropian morri vendim që të ua heq vizat serbëve me pasaporta ilegale të lëshuara nga Serbia për Kosovën.
Qeveria e Kosovës, në një reagim për media të hënën ka thënë se vendimi është një nguti e pashpjegueshme e BE-së.
“E pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet që munden dhe do të përcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, thuhet në reagimin e tyre.
Reagimi vazhdon me fraza të pakuptimta ku thuhet se “cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale”, sikur qenka Qeveria e Kosovës që përcakton për BE-në se cilin dokument e konsideron ilegal e cilin jo.
Komunikata vazhdon duke e pranuar se vendimi është “në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës”, por pa treguar cilët janë hapat konkret të protestimit të këtij vendimi.
Si lëshohen pasaportat për serbët e Kosovës nga Serbia?
Autoritetet e Serbisë lëshojnë disa pasaporta të veçanta për serbët e Kosovës, sipas të cilave Kosova është pjesë e shtetit serb.
Me këto lloj pasaportash janë të pajisur serbët që jetojnë në Kosovë.
Ato nuk janë identike si pasaportat për serbët që jetojnë në Serbi.
Gjithashtu, ndryshe nga pasaportat për qytetarët që jetojnë në Serbi që lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisw, këto pasaporta lëshohen nga një institucion i quajtur Drejtoria Koordinuese serbe në Beograd.
Në dhjetor të vitit 2009, kur Bashkimi Evropian kishte vendosur t’ia liberalizojë vizat Serbisë për zonën Schengen, liberalizimi i vizave nuk kishte vlejtur edhe për këto pasaporta që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, duke vendosur kështu një mosnjohje për këto dokumente si të rregullta.
Por, në vitin 2023 Bashkimi Evropian përmes Komisionit bëri një propozim që të ketë heqje të vizave edhe për këto pasaporta, duke i njohur edhe ato si dokumente valide.
Propozimin e komisionit tash e ka aprovuar edhe Këshilli Evropian (praktikisht qeveria e BE-së), duke i bërë ato zyrtarisht dokumente valide për BE-në.
Kush i mban këto pasaporta?
Serbët e Kosovës.
Për shembull, një serb që jeton në Kosovë, në qytetin e Mitrovicës së Veriut, Prishtinës, apo cilido qytet tjetër, është i pajisur me një pasaportë të tillë ku i thuhet vendi i lindjes “Mitrovicë, Serbi”.
Kjo njohje e këtyre pasaportave praktikisht është lëvizje e BE-së nga qëndrimi i deritanishëm neutral i statusit të Kosovës, sepse tash për BE-në nuk është problem që në një dokument shkruan “Prishtinë, Serbi”, apo qytetet të tjera të Kosovës.
Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”.
Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë