Në Mbretërinë e Bashkuar, Gjykata Supreme ka vendosur që kompania amerikane e teknologjisë, Uber, të klasifikojë drejtuesit e saj si punonjës dhe jo si kontraktorë të pavarur.
Agjensia e lajmeve, CNN, shkruan se ky vendim i marrë mund t’i japë një goditje të madhe modelit të biznesit të kompanisë në një nga tregjet më të rëndësishme.
Vendimi i marrë nga gjykata ishte unanim duke i cilësuar shoferët e Uber-it të punësuar dhe duke hedhur poshtë apelin e ngritur nga kompania. Kjo pasi kompania cakton çmimet dhe ushtron kontroll mbi drejtuesit që përdorin aplikacionin.
Lidhur me efektet që mund të ketë në praktikë vendimi i marrë, ende nuk është e qartë. CNN thotë se vendimi mund të ndryshojë mënyrën se si Uber-i bën biznes në Mbretërinë e Bashkuar. Një nga mënyrat mund të jetë detyrimi i kompanisë për të dhënë përfitime shtesë për shoferët duke përfshirë pagesën e kohës dhe një pagë minimale.
Kjo mund të krijojë edhe precedent për punorët dhe kompanitë e tjera për këtë lloj shërbimi që gjatë pandemisë ka lulëzuar prej rritjes së kërkesës për furnizime me ushqime dhe shërbime të tjera.
Sipas CNN, për herë të parë padia kundër Uber-it ka qenë në vitin 2016 nga Yaseen Aslam dhe James Farrar, të cilët vozisnin për kompaninë.
Njëri prëj tyre, Aslam-i, punonte në një kompani tjetër, por i pëlqeu paga fitimprurëse dhe shpërblimet e Uber-it. Mirëpo, me përfshirjen e shumë shoferëve në platformë, ai realizonte më pak udhëtime dhe me çmime më të ulëta.
Të dy shoferët e fituan çështjen edhe pas dy apelimeve të mëvonshme nga kompania. Pas tyre shumë drejtues të tjerë kanë ngritur padi ndaj Uber-it dhe me marrjen e vendimit presin kompensim nga kompania.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com