Lajme

Vendet e G7 bënë thirrje për vazhdimin dhe zgjerimin e “marrëveshjes së grurit”


Vendet e G7-ës bënë thirrje për vazhdimin, zbatimin e plotë dhe zgjerimin e marrëveshjes për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi.

Këtë e bën të ditur agjencia Reuters, duke iu referuar komunikatës së ministrave të bujqësisë të vendeve anëtare të G7.

Ministrat e G7-ës pranuan rëndësinë e marrëveshjes dhe thanë se mbështesin vazhdimin, zbatimin e plotë dhe zgjerimin e “marrëveshjes së grurit”.

“Ne dënojmë përpjekjet e Rusisë për të përdorur ushqimin si një mjet destabilizimi dhe një mjet shtrëngimi gjeopolitik dhe konfirmojmë angazhimin tonë për të vepruar në solidaritet dhe për të mbështetur ata që janë më të prekur nga përdorimi i ushqimit nga Rusia si armë”, thuhet në komunikatë.

Anëtarët e G7 janë gjithashtu të gatshëm të mbështesin restaurimin dhe rindërtimin e Ukrainës.

Kjo, duke përfshirë dhënien e ndihmës eksperte në çminimin e tokës bujqësore dhe rindërtimin e infrastrukturës bujqësore, thuhet në dokument.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore