Kosova

Vdes një zjarrfikës në krye të detyrës


Ilustrim

Një zjarrfikës ka vdekur në krye të detyrës të enjten.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Rreth orës 13:50 stacioni policor ka pranuar një informatë për një zjarrvënie në Krushevë të Vogël të Klinës. Në vendngjarje menjëherë kanë dalë njësitet policore si dhe zjarrfikësit. Në kohën kur zjarrfikësit kanë filluar të intervenojnë, njëri nga zjarrfikësit është rrëzuar në tokë”.

Gashi, ka sqaruar se i njëjti ishte dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku mjeku kujdestar kishte konstatuar vdekjen e tij.

Gjatë ditës nga zjarri është kapluar edhe fshati turistik, Prevalla, për të cilin Parku Kombëtar Sharri ka kërkuar ndihmën e institucioneve të Kosovës për shuarjen e tij.

Më 4 maj të 2023-së, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës kishte kërkuar nga institucionet reagim urgjent për të përmirësuar kushtet e punës.

Në një artikulli të cilin e kishte publikuar Albanian Post në vitin 2021, Valon Kuka i cili është zjarrfikës kishte treguar për kushtet e rënda me të cilët punojnë zjarrëfikësit.

“Pa sigurim shëndetësor, për ditët e festave nuk ka kompensime, në ditë kur punojmë në vikende nuk ka mëditje, pra nuk llogaritet se kur punojmë jashtë orarit të punës, rrugëtimin e paguajmë vetë, por mbi të gjitha këto kryesorja janë pagat e ulët”, kishte thënë Kuka.

Ai kishte shtuar se sfidë tjetër janë pajisjet e vjetërsuara, pasi sipas tij, “80 për qind e pajisjeve janë të stërvjetra, kamionët janë të viteve 1960 me përjashtim të një kamioni i cili është blerë gjatë vitit 2014-2015”.

Për numër të vogël të zjarrfikëseve, ishte ankuar edhe kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.

“Tek ne janë afër 900 zjarrfikës, në disa komuna ne ndërrim janë nga dy ose tre zjarrfikës që nuk mund të plotësohen kriteret me këtë numër të vogël. Kjo e bën të vështirë që situata emergjente te menaxhohet pa një numër të shtuar të zjarrfikësve”,

“Në këtë shërbim për 20 vite nuk është investuar asgjë, është momenti i fundit që qeveria të angazhohet seriozisht për të dalë nga kjo krizë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve”, kishte deklaruar ai për AP.

Kurse nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, kishin thënë se po të kishin zjarrfikës më shumë zjarret do të shuheshin më shpejt.

Zjarrfikësit e Kosovës “luftojnë” zjarrin me kamion të viteve të 60-ta

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore