Shqipëria

Vdekshmëri e lartë nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut në vitin 2020


Një publikim i fundit nga INSTAT mbi shkaqet e vdekjeve në vitin 2020, del se përqindjen më të lartë e mbajnë sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut me 52.2 për qind të vdekjeve gjithsej.

Ky grup i sëmundjeve mbetet edhe shkaku kryesor i vdekjeve me një normë vdekshmërie prej 508.0 për 100 mijë banorë. Dhe krahasuar me vitin paraardhës, ka shënuar një rritje prej 23.2 për qind.

Grupi i dytë me nivelin më të lartë të vdekjeve prej 17.0 për qind i takon grupsëmundjes “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”. Krahasuar me vitin e kaluar, janë shënuar 24,6 për qind më shumë humbje jete.

Përpos kësaj, gjatë vitit 2020, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri është 27 mijë e 605 çka ka shënuar një rritje me 25.8 për qind vdekje më shumë krahasuar me vitin paraardhës.

Ndërkohë që në bazë në gjinisë, janë regjistruar 15 mijë e 504 vdekje për meshkujt dhe 12 mijë e 101 vdekje për femrat.

Për sa i përket grupsëmundjes “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “sëmundjet kronike të zemrës” me 33.1 për qind, “sëmundjet e enëve të trurit” me 26.4 për qind dhe “sëmundjet ishemike të zemrës” me 24.0 për qind.

Sipas të dhënave, numri i vdekjeve i shkaktuar nga ky grup i sëmundjeve është afro 4.5 herë më i lartë krahasuar me vitin 2019. Arsyeja është COVID-19.

Rreth 8.9 për qind e vdekjeve në total kanë si shkak këtë grupsëmundje. Dhe niveli i vdekshmërisë për 100 mijë banorë është 86.5 vdekje.

Si për meshkujt edhe për gratë, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, mbeten shkaku kryesor i vdekjeve. Nga 14 mijë e 422 të vdekur nga kjo grupsëmundje, 45.8 për qind janë femra dhe 54.2 për qind janë meshkuj.

Ndër të tjera, raporti vëren se në vitin 2020, numri i vdekjeve foshnjore është 281 duke shënuar një rënie prej 4.1 për qind krahasuar me një vit më parë.

Shkaqet kryesore të tyre janë “Ndërlikime në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes” me 37.7 për qind dhe “Sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes” me 29.9 për qind të vdekjeve gjithsej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore