Kosova

Vazhdon gjyqi në Hagë


Ilustrim

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë edhe këtë të martë (sot, 27 gusht).

Gjykimi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – rasti më i madh i Gjykatës Speciale – do të nisë sot në orën 09:00, ndërsa në bazë të kalendarit, seancë do të ketë edhe të mërkurën dhe të enjten (28 dhe 29 gusht), për të mbyllur numrin e seancave për muajin gusht.

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në seancën e së hënës ka dëshmuar ish-anëtari i UÇK-së, Skender Zhitia, autor i librit ‘UÇK-ja: Zona Operative e Llapit’ gjatë viteve 1998-1999, derisa ka folur rreth metodologjisë, intervistave dhe burimeve të përdorura në këtë libër, të cilin prokurorët e krimeve të luftës e kanë paraqitur si provë kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 80 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 81-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore