Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, ndërsa gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë këtë të martë (sot, 21 maj).
Gjyqi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së pritet të nisë në orën 09:00, ndërsa seancë do të ketë edhe të mërkurën, të enjten dhe të premten (22, 23 dhe 24 maj), kurse do të vazhdojë gjatë gjithë javës tjetër. E seanca e fundit për këtë muaj në rastin më të madh të të ashtuquajturës Gjykatë Speciale do të mbahet më 30 maj 2024.
Ndërkohë, trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, në vendime të veçanta për secilin, vazhdoi paraburgimin për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin, duke pretenduar se vazhdon të ekzistojë rreziku se të akuzuarit mund ta pengojnë procesin gjyqësor dhe mund të kryejnë vepra të tjera.
E prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri tani janë dëgjuar 62 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura, ndërsa të martën pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të 63-të.
Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com