Në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë, pritet të vazhdojë dëshminë këtë të mërkurë në ora 9:00 dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Johan Fritsch, i cili kishte shërbyer në Kosovë si zyrtar i KFOR-it për media në zonën e Prizrenit.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja të martën, ky dëshmitar ishte dislokuar në Kosovë nga 14 qershori deri me 3 gusht të vitit 1999 si zyrtar për shtyp me kontingjentin e KFOR-it dhe se pjesë e detyrave të tij ishte shoqërimi i gazetarëve, dokumentimi dhe raportimi dhe bërja fotografi të ngjarjeve sipas kërkesës së kryesisë ushtarake të KFOR-it.
Ndërkaq të martën e ka përfunduar dëshminë e tij oficeri i ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus Jensch, i cili ka thënë se pa së paku një të vdekur dhe disa persona që mbaheshin në ish-ndërtesën e MUP-it, në të cilën paslufte ishte vendosur UÇK-ja.
Ai po ashtu ka deklaruar se gjatë kohës që ishte me mision në kuadër të KFOR-it në Kosovë kanë kapur persona që kanë veshur uniforma me flamuj të Gjermanisë e që kryenin vjedhje.
Ndryshe, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com