Film

Universi DC ka marrë të tatëpjetën, ‘The Flash’ një dështim historik në sallat e kinemave


Nuk mjaftojnë vetëm përshtypjet e mira të kritikëve për të bërë një film të suksesshëm dhe këtë bota e DC Comics, udhëhequr në ekranin e madh nga Warner Bros, duhet ta dijë mirë.

“The Flash” është vetëm shembulli i fundit se universi i DC ka marrë të tatëpjetën, pas një tronditjeje të vërtetë që pësoi me arkëtimet në sallat e kinemave fundjavën mes 16 dhe 18 qershorit.

Personazhi i vënë në lojë nga Ezra Miller pritej të arkëtonte të paktën 100 milionë dollarë për të quajtur një hapje të suksesshme. Jo vetëm që kjo shifër s’u arrit, por ishte një dështim historik, me 55 milionë dollarë të fituara nga ekranet e mëdhenj.

Aq i madh ishte dështimi, sa që fillimisht, revistat e mëdha botërore dhe ekspertët e atij që njihet si “box office”, nuk po pranonin të jepnin lajmin e kobshëm për Warner Bros, pasi mendonin se kishte një gabim me shifrat.

Jo!

Gabimi ndoshta ka qenë në mbivlerësimin e filmit, i cili është bërë me dije që më parë se nuk do të ketë një pjesë të dytë dhe se do të transmetohej vetëm për faktin se projekti tashmë e kishte marrë formën përfundimtare dhe nuk mund të çohej puna dëm.

Fajtorin kanë kërkuar ndërkaq ta gjejnë të gjithë tek të tjerët, me disa, të cilët fajësojnë drejtorin e ri të universit, James Gunn. Të tjerë ia vendosën fajin marketingut të dobët dhe kursimeve të mëdha në buxhet.

Disa fajësuan edhe aktorin Ezra Miller, i cili për shkak të problemeve personale në jetën reale, nuk arriti të injektonte aq pritshmëri sa duhej në filmin e ri.

E vetmja e sigurt në gjithë këtë mesele të krijuar në botën e DC është fakti se ky mundet realisht të merret si një reflektues se e gjithë industria po vuan, me dinasti të tjera si ajo e Disney apo e Marvel, të cilat nuk kanë bërë mirë muajt e fundit në kinema.

Por, mbi të gjitha, se DC ka marrë krejtësisht të tatëpjetën dhe se si e gjithë situata do të ndreqet, as vetë drejtuesit e lartë të kompanisë nuk e dinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore