Lajme

Ulet ndjeshëm migrimi i paautorizuar nga Ballkani drejt BE-së


Migrimi i paautorizuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian ra ndjeshëm në përgjithësi në tetë muajt e parë të këtij viti.

Kjo, edhe pse retorika politike dhe dhuna kundër emigrantëve u rritën, ndërsa partitë e ekstremit të djathtë që mbështesin politikat anti-emigracion regjistruan rritje në votime.

Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufitare e Bashkimit Evropian (Frontex) ka raportuar një rënie të madhe të kalimeve të parregullta kufitare përgjatë Rrugës Ballkanike.

Sipas të dhënave të publikuara nga Frontex në gusht 2024, kishte 12 mijë e 407 zbulime përgjatë rrugës në tetë muajt e parë të vitit.

Kjo përfaqësonte 75 për qind rënie nga e njëjta periudhë e vitit 2023.

Numri i përgjithshëm i kalimeve të parregullta kufitare në BE janar-korrik 2024 ra me 36 për qind në 113 mijë e 400, dhe rënia në rrugën ballkanike përfaqësonte më të rëndësishmen nga gjashtë linjat kryesore.

Migrimi i parregullt dominoi zgjedhjet parlamentare evropiane në qershor dhe ndikoi në zgjedhjet e fundit shtetërore në Gjermaninë lindore, ku një parti e ekstremit të djathtë fitoi për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Qeveria gjermane këtë javë njoftoi se po zgjeronte kontrollet kufitare rreth territorit të saj pas sulmeve të fundit ekstremiste.

Pavarësisht debateve të nxehta, kalimet e parregullta mbi kufijtë jugorë të BE-së – rajoni që sheh migrimin më të paautorizuar – u ulën me 35 për qind nga janari në gusht.

Kjo, sipas shifrave të fundit paraprake të përpiluara nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e Kombeve të Bashkuara.

Gati 115 mijë migrantë – më pak se 0.03 për qind e popullsisë së BE-së – kanë mbërritur pa leje në BE përmes rrugëve të Mesdheut dhe Atlantikut deri më tani këtë vit, krahasuar me 176 mijë e 252 gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, thotë OKB-ja.

Në të kundërt, më shumë se një milion njerëz, shumica e të cilëve ikin nga konflikti në Siri, hynë në BE në vitin 2015.

Rruga më e përdorur për emigrantët është nga Afrika e Veriut, përmes Mesdheut të rrezikshëm Qendror për në Itali.

Megjithatë, afërsisht 64 për qind më pak emigrantë zbritën në Itali këtë vit sesa gjatë së njëjtës periudhë në 2023, sipas numrave të IOM-it dhe Frontex-it.

Numri i emigrantëve që mbërritën në Greqi nga deti dhe nga toka gjatë tetë muajve të parë të vitit u rrit me 57 për qind, tregojnë po ashtu të dhënat e OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore