Sport

UEFA Youth League: Bylisi përballet me 2 Korrikun në raundin e parë


Bylisi nga Shqipëria dhe 2 Korriku nga Kosova do të përballen me njëra-tjetrën në raundin e parë kualifikues të UEFA Youth League, versioni i Champions League për grupmoshat deri në 19 vjeç.

Në “Shtëpinë e Futbollit Evropian” në Nyon, Zvicër, është hedhur shorti për raundin e parë, të dytë dhe të tretë të UEFA Youth League 2024-25.

UEFA Youth League do të ketë tre raunde kualifikuese para se 10 skuadrat që avancojnë nga këto raunde të bashkohen me të tjerat e kualifikuara automatikisht për të plotësuar 32 të fundit.

Dy ekipet shqiptare u vunë përballë njëri-tjetrit në raundin e parë në shortin e hedhur ditën e sotme nga UEFA, aty ku gjenden klubet nga 24 shoqatat e renditura më ulët nga organi drejtues i futbollit në Evropë.

Ndeshja e parë mes dy ekipeve shqiptare në Evropë do të zhvillohet më 18 shtator, ndërsa ajo e kthimit më 2 tetor.

Në raundin e dytë, ekipi fitues nga ndeshja Bylis – 2 Korriku do të përballet me fituesin e çiftit UCD AFC (Irland) – Stjarnan (Island).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore