Sport

UEFA i mbyll derën sauditëve për Champions League-n


UEFA mbyll dyert për Arabinë Saudite.

Numri një i federatës kontinentale të futbollit Aleksander Ceferin shpjegoi në një intervistë për faqen sllovene N1 pozicionin në lidhje me rritjen e futbollit saudit dhe shtytjen për të hyrë në botën e futbollit të kontinentit të vjetër.

“A kam marrë oferta apo ftesa nga Arabia Saudite? Jo. Përmendet dëshira e Arabisë Saudite për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve apo edhe që skuadrat e tyre të luajnë në Champions League, por ky informacion më vjen gjithmonë përmes ndërmjetësve. Personalisht, askush nuk më ka ofruar asgjë ende. Ndonjëherë lexoj në media shumë ‘të besueshme’ se ne tashmë po diskutojmë këto gjëra, por është absolutisht e pakuptimtë. Liga e Kampionëve do të luhet në Evropë dhe do të marrin pjesë ekipe nga vendet anëtare të UEFA-s. Ne nuk kemi diskutuar as mundësi të tjera”.

Ai shtoi se nuk shikon mundësinë më të vogël që të organizojë finalen e Ligës së Kampionëve në Riad.

“Finalja e Ligës së Kampionëve në Riad? Për momentin nuk shoh as mundësinë më të vogël. Një herë, në një intervistë në New York, një gazetar më pyeti nëse e pranoja mundësinë që finalja të zhvillohet atje në 20 vitet e ardhshme. Unë u përgjigja se padyshim e pranova këtë mundësi. Por do të kisha dhënë të njëjtën përgjigje nëse një gazetar indonezian do të më pyeste për mundësinë e një finaleje në Xhakarta. Të nesërmen, lexova përmbledhjet e intervistës në mediat evropiane me tituj që njoftonin se finalja e Champions League do të zhvillohej në New York në vitin 2026. Ndaj kësaj here ju përgjigjem se nuk e pranoj këtë mundësi, edhe nëse e dini se shumë mund të ndodhin në 20 vjet. Me siguri, megjithatë, nuk do të jem më në këtë pozicion pas 20 vjetësh”.

Për t’iu kthyer fabulës saudite, Ceferin kujtoi qasjen e Kinës disa vite më parë, duke vërejtur se kombëtarja kineze ende nuk është kualifikuar në Kupën e Botës.

“Unë mendoj se kjo histori me Arabinë Saudite është relativisht jetëshkurtër. E kam thënë disa herë që për mendimin tim është një qasje e gabuar për zhvillimin e futbollit. Sjellja e lojtarëve që praktikisht e kanë mbaruar karrierën në Evropë nuk e çon përpara futbollin. Kina bëri të njëjtën gjë disa vite më parë dhe kombëtarja e saj ende nuk është kualifikuar në Kupën e Botës. Pra, në dispozitat tona, nuk do të shqetësohem për ndonjë ligë tjetër. Në një farë kuptimi, mund të flasim vërtet për një nivel tjetër në krahasim me Kinën, të paktën kur bëhet fjalë për emrat e lojtarëve. Por niveli i shifrave monetare nuk është shumë i ndryshëm”.

Shefi i UEFA-s ndërsa fliste për shifrat e larta të kampionatit saudit theksoi se yjet e rinj si Erling Haaland dhe Kylian Mbappe nuk janë të interesuar për t’u transferuar në Arabinë Saudite.

“Carlos Tevez, i cili ishte një futbollist i kalibrit të lartë, kishte një kontratë 100 milionë dollarësh në Kinë në atë kohë. Shifrat sot janë ndoshta ende pak më të larta, por nuk shoh yje të rinj si Erling Haaland dhe Kylian Mbappe të interesuar për t’u transferuar në Arabinë Saudite. Nuk do të thosha se do të më mungojë askush. Liga e Kampionëve fillon javën e ardhshme dhe të gjithë e presin atë. Në prill mbajta një konferencë për futbollin në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara, ku morën pjesë 400 studentë dhe mësues. Dhe kur i pyeta se kush e ndjek futbollin europian, 397 prej tyre ngritën duart lart. Tre prej tyre thanë se ndjekin Major League Soccer (MLS), ligën profesionale të futbollit amerikan. Njëri nga këta tre kishte veshur një fanellë të Bayern Munich-ut. Pra, futbolli ynë është vërtet i mrekullueshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore