Lajme

Udhëheqësi i opozitës në Senegal do të përballet me gjyqin për përdhunim


Udhëheqësi i opozitës senegaleze, Ousmane Sonko do të përballet me gjyqin me akuzat për përdhunim dhe kërcënim me vdekje ndaj një punonjësi të sallonit të bukurisë në vitin 2021, ka thënë një gjykatës hetues.

Gjykatësi ia referoi çështjen dhomës penale të Senegalit për gjykim në një letër të datës 17 janar dhe të parë nga agjencia e lajmeve “Reuters” të mërkurën.

Avokati i Sonkos nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, por politikani 48-vjeçar ka mohuar më parë të gjitha akuzat.

Një gjyq mund të rrezikojë synimin e tij për të konkurruar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Sonko, i cili doli i treti në zgjedhjet e 2019, ka njoftuar se do të kandidojë.

Mund të nxisë gjithashtu tensione politike në Senegal. Përplasjet shpërthyen në vend në mars 2021 kur Sonko u thirr fillimisht nga gjyqtari hetues dhe u arrestua.

Sonko akuzohet se ka sulmuar seksualisht një grua që punonte në një sallon masazhi dhe më pas e ka kërcënuar. Ai dhe mbështetësit e tij thonë se gjyqi është i motivuar politikisht për ta eliminuar atë nga gara presidenciale.

Ai gëzon mbështetje të gjerë në mesin e të rinjve senegaleze, shumë prej të cilëve janë të frustruar me qeverinë pasi papunësia dhe vështirësitë ekonomike kanë mbetur të larta, duke çuar në protesta sporadike dhe ndonjëherë të dhunshme.

Thirrjet e “Macky Sall është një diktator” u përhapën në Dakar gjatë një proteste në korrik 2022.

El Hadj Diouf, avokat i paditësit, tha se klienti i tij ishte i kënaqur nga vendimi i gjykatësit.

“Nuk është befasi. Nuk kemi asgjë për të fshehur”, tha ai për “Reuters” përmes telefonit.

Disa liderë të opozitës dhe mbështetës të Sonkos kanë frikë se rasti është një përpjekje e presidentit të Senegalit Macky Sall, 61 vjeç, për të hequr një rival të mundshëm popullor nëse ai vendos të kërkojë një mandat të tretë mes mbështetjes në pakësim.

Qeveria e Sall-it e ka hedhur poshtë akuzën duke thënë se çështjen i takon gjykatave.

Rivalët e tjerë kanë qenë subjekt i akuzave penale në të kaluarën, duke përfshirë ish-kryebashkiakun e Dakarit, Khalifa Sall dhe Karim Wade, djali i ish-presidentit Abdoulaye Wade, duke i eliminuar ata nga gara presidenciale 2019.

Mandati i dytë i Sall do të përfundojë në 2024. Ai nuk ka thënë nëse do të kandidojë për një mandat të tretë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore