Lajme

Twitter po pushon edhe më shumë punonjës që mbikëqyrin moderimin e përmbajtjes


Twitter Inc. nën pronarin e ri Elon Musk, ka bërë edhe më shumë shkurtime në ekipin e tij tashmë të reduktuar në mënyrë drastike të besimit dhe sigurisë, i cili merret me moderimin e përmbajtjes globale.

Lajmi u bë i ditur nga kompania “Bloomberg”, duke iu referuar burimeve.

Pushime nga puna u bënë edhe në njësinë në lidhje me gjurmimin e nxitjes së urrejtjes dhe persekutimit, thanë bashkëbiseduesit e agjencisë.

“Të paktën një duzinë shkurtime të tjera të premten mbrëma prekën punëtorët në zyrat e kompanisë në Dublin dhe Singapor. Midis të pushuarve janë Noor Azhar Bin Ayob, kreu i integritetit të faqes në Twitter në rajonin Azi-Paqësor, i cili u punësua relativisht kohët e fundit; dhe Analuisa Dominguez, drejtoreshë e lartë e politikës së të ardhurave në Twitter”, thanë burimet, të cilët folën në kushte anonimiteti.

Ekipet që merren me politikën e rrjetit social për dezinformimin dhe mediat shtetërore në platformë u pushuan gjithashtu.

Shefja e besimit dhe sigurisë së Twitter, Ella Irwin, konfirmoi se disa anëtarë të ekipit ishin larguar nga puna, por mohoi që ata të kishin lidhje me disa njësi të përmendura nga Bloomberg.

“Do të kishte më shumë kuptim të konsolidoheshin skuadrat nën një lider (në vend të dy), për shembull”, tha Irwin në një përgjigje ndaj një kërkese për koment.

Kujtojmë që, Elon Musk bleu Twitter për 44 miliardë dollarë në muajin tetor.

Qëkurse bleu kompaninë, Musk ka mbikëqyrur pushimet nga puna ose largimet e rreth 5 mijë nga 7 mijë e 500 punonjësit e Twitter dhe ka krijuar një mjedis pune “të ashpër” për ata që kanë mbetur.

Twitter përballet me padi të shumta për faturat e papaguara, duke përfshirë fluturimet në aeroplanë privatë të çarteruar, shërbimet e softuerit dhe qiranë për një nga zyrat e tij në San Francisko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore