Kampionate

Trepça zyrtarizon trajnerin e ri


Klubi i Basketbollit Trepça ka zyrtarizuar trajnerin e ri këtë të martë. Në krye të skuadrës nga Mitrovica tashmë do të jetë turko-boshnjaku, Adis Beciragic.

Beciragic do të marrë vendin e Engin Gençoglu, i cili u largua nga Trepça më 14 maj, para serisë së play off, ku ekipi u drejtua nga Ilir Selmani.

Ka qenë vetë Trepça që ka njoftuar në mediat e saj sociale afrimin e trajnerit të ri, Beciragic.

“Kemi kënaqësinë t’u njoftojmë që Adis Beciragic është trajner i ri i skuadrës sonë. Beciragic është trajner i dëshmuar në basketbollin tonë dhe shumë i suksesshëm. Është edhe përzgjedhës i Bosnjë-Hercegovinës”, thuhet në njoftimin e mitrovicarëve.

Beciragic ka lindur më 18 qershor 1970 në Sarajevë. Si lojtar, ai ishte anëtar i kombëtares së madhe të Bosnje dhe Hercegovinës, e cila i solli shumë gëzim kombit në vitet 1990.

Karrierën e filloi në Sarajevë të Bosnjës, ndërsa suksesin më të madh e arriti në fanellën e Ulkerit, me të cilin ishte kampion i Turqisë dhe luajti në Euroligë.

Ai e përfundoi karrierën e tij si lojtar në vitin 2000, dhe ka punuar si trajner basketbolli që nga viti 2000.

Në karrierën e tij të pasur si trajner, ai drejtoi klubet turke Darussafaku, Gaziantep, Konyaspor, Kepez, Pektim dhe Muratbey Usak dhe për vite me radhë ishte krahu i djathtë i Bogdan Tanjevic kombëtaren turke.

Ai ka qenë edhe trajner i Irakut, ndërsa ka fituar kampionatin e Kosovës me ekipin Golden Eagle Ylli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore