Shqipëria pritet të hyjë në SEPA, Zonën e Përbashkët Evropiane të Pagesave.
Gent Sejko, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ka bërë me dije se, “me SEPA pagesat janë të shpejta, të sigurta dhe më të lira”.
“Pagesat mund të bëhen nga kudo në Evropë dhe në çdo kohë. Me SEPA nuk do të ketë më vonesa apo tarifa të larta për transferimet kufitare të euros”, ka thënë ai.
Qytetarët, sipas Sejkos, mund të dërgojnë para me komoditet të lartë dhe me çmime disa herë më të ulëta nga aktualisht.
Sakaq, anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA shihet pozitivisht edhe nga industria bankare.
Bledar Shella, President i Shoqatës Shqiptare të Bankave, ka thënë se, përfitimet e SEPA-s për bankat shqiptare dhe klientët e tyre, individë dhe biznese është një ulje e ndjeshme e kostos së transfertave në të gjithë Evropën dhe një lehtësim i ndjeshëm i tyre.
“Bankat shqiptare janë të vendosura për emetimin sa më shpejtë të këtij sistemi në mënyrë që të rrisin më tej transfertat elektronike dhe të ndihmojnë klientët e tyre”, ka shtuar Shella.
Lidhur me këtë risi, ministri i Financave dhe Ekonomisë në largim, Ervin Mete, ka thënë se, “në momentin e aderimit të trasfertave euro në Bashkimin Evropian, do të konsiderohen sikur të jenë bërë nga një vend anëtar i BE-së”.
“Përmes saj, pagesat dhe transfertat për dhe nga Shqipëria mund të kryhen kudo nga Bashkimi Evropian, duke e bërë procesin më të shpejtë, më të lirë dhe më të lehtë”, ka ravijëzuar ai.
Pse kandidatët e Ballkanit Perëndimor për në BE synojnë t’i bashkohen SEPA-s
Disa ditë më parë, Sejko raportoi në Komisionin për Çështjet Evropiane lidhur me SEPA-n.
“Përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë janë të mëdha dhe, sipas vlerësimeve tona paraprake, mund të arrijnë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Më konkretisht, duke u bazuar në eksperiencën e sistemit AIPS Euro – nëpërmjet të cilit Banka e Shqipërisë që nga fillim i operimit në janar të vitit 2022, i ka kursyer tregut shqiptar rreth 50 milionë euro, vlerësohet se impakti i anëtarësimit në SEPA do jetë dhe më i gjerë”.
Në parim, theksoi Sejko, të dy projektet synojnë të reduktojnë komisionet e pagesave, megjithatë AIPS Euro ka si fokus pagesat në Euro brenda vendit, ndërkohë SEPA do të ndikojë pagesat ndërkufitare.
Në këtë këndvështrim, tha ai, duke qenë se volumet e transaksioneve ndërkufitare janë shumëfish i atyre vendase për shkak të turizmit, tregtisë dhe ndërveprimit të ngushtë që kanë qytetarët evropianë dhe ata shqiptarë, baza e impaktit është shumë më e gjerë dhe adreson komisionet e larta që aplikoheshin për këto lloje pagesash nga bankat.
Sejko tha se lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, BE-në, nxit zgjerimin e më tejshëm të marrëdhënieve tregtare me të.
“Duke lehtësuar kryerjen e transaksioneve, bizneset shqiptare kanë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës, duke i siguruar partnerët evropianë se do të marrin të njëjtin trajtim si brenda BE-së”, theksoi ai.
Pothuajse të gjitha dërgesat e emigrantëve vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, edhe kjo e fundit anëtare e SEPA-s.
“Lehtësitë që sjell SEPA do të nxisin përdorimin e kanaleve zyrtare për transfertat e remitancave, përpos rritjes së vlerës së kursimeve”, shtoi ai.
Sipas tij, pjesëmarrja në SEPA nxit ngritjen e një sistemi pagesash eficent dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria.
“Si rregullator i tregut të pagesave, ky është një objektiv i dëshiruar për Bankën e Shqipërisë. Nëpërmjet standardizimit të pagesave ndërkufitare dhe përdorimit të një teknologjie të përparuar, bëhet i mundur zhvillimi i një tregu pagesash më bashkëkohor, në përputhje me politikat evropiane. Ai ndihmon konkurrencën në tregun e pagesave me vlerë të vogël, si dhe transparencën dhe besueshmërinë e produkteve që i ofrohen publikut për pagesat ndërkufitare”, u shpreh Guvernatori.
Nga ana tjetër, sipas tij, “përdorimi i pagesave SEPA pritet të sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e kompanive shqiptare dhe të individëve, sa i përket mënyrave të kryerjes së pagesave elektronike (cashless”.
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA e ka origjinën në marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe synon zhvillimin e marrëdhënieve financiare dhe ekonomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor e njëkohësisht, edhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Për të nxitur përpjekjet e vendeve për të thelluar integrimin e tyre ekonomik me tregun evropian, në nëntor të vitit 2023, Komisioni Evropian e përfshiu anëtarësimin e përshpejtuar në SEPA në agjendën e prioriteteve të rritjes së rajonit.
Vlerësimet e atëhershme të ekspertëve të Bankës Botërore tregonin se Shqipëria ishte ndjeshëm e përgatitur për të nisur aplikimin, pasi plotësonte pothuajse të gjitha kriteret. Në veçanti, u vlerësua se vendi ynë kishte përparuar dukshëm në përafrimin e legjislacionit të pagesave me atë evropian.
Në fushën e pagesave, Shqipëria tregon një pajtueshmëri të lartë ligjore me acquis dhe me kuadrin rregullator të SEPA-s. Që prej vitit 2018, vendi ynë ka përshpejtuar përpjekjet në këtë drejtim, nëpërmjet hartimit nga Banka e Shqipërisë dhe miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe të kuadrit rregullator për zbatimin e tij.
Me miratimin e përfshirjes së Shqipërisë në zonën SEPA, institucionet tona të pagesave duhet të anëtarësohen individualisht për të marrë pjesë në skemat e saj.
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa iniciativa në drejtim të zhvillimeve infrastrukturore, me qëllim lehtësimin e anëtarësimit.
Një projekt tjetër mjaft i rëndësishëm i lidhur me SEPA-n, por dhe me tregun e brendshëm të pagesave, është ai i zbatimit të infrastrukturës për pagesat e shpejta.
Në arenën ndërkombëtare po evidentohet gjithnjë e më shumë rëndësia e sistemeve që mundësojnë transferime të fondeve 24 orë çdo ditë të javës (24/7), duke përdorur mënyra inovative jo vetëm për tregun vendas, por edhe përmes ndërlidhjeve të synuara për pagesat ndërkufitare.
Pagesat e shpejta lehtësojnë tregtinë ndërkufitare, rrisin konkurrencën dhe reduktojnë kostot.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore