Lajme

Tragjedi mbi shina, 38 viktima dhe mbi 80 të plagosur nga përplasja e trenave në Greqi


Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur në Greqi kur dy trena të një linje hekurudhore janë përplasur dhe kanë lënë të vdekur të paktën 38 persona, ku të plagosur ndërkaq janë rreth 80 të tjerë.

Ngjarja ka ndodhur pranë qytetit të Larissa-s dhe siç është raportuar nga autoritetet vendore, një tren pasagjerësh dhe një mallrash janë përplasur, duke shkaktuar aksidentin e rëndë.

Pamjet e para nga vendngjarja reflektojnë një impakt shumë të fortë mes dy mjeteve të transportit, ku qartësisht vagonë të tërë janë deformuar dhe kanë dalë nga binarët.

Mbi 40 ambulanca ndodhen në zonën ku ekipet e kërkim-shpëtimit po zhvillojnë punën e tyre lidhur me gjetjen e trupave të njerëzve, të cilët mund të kenë humbur jetën apo të kenë mbijetuar nga përplasja e fuqishme.

Disa prej pasagjerëve nga ana tjetër, të cilët kanë arritur të shpëtojnë, e përshkruan ndodhinë si “një shpërthim shumë të fortë”, ku ka edhe nga ata të cilët e reflektojnë si një “ferr 10 sekondësh, e më pas panik, zjarr dhe kaos”.

Teksa ngjarja e ndodhur gjatë orëve të natës shkaktoi shqetësim te qytetarët, lajme të këqija vijojnë të vijnë edhe nga ekipet e shpëtimit, ku pas pesë orësh, ata kanë theksuar se vijojnë të gjejnë trupa njerëzish.

“Kjo është tragjike! Jemi pesë orë pas aksidentit dhe vazhdojmë të gjejmë trupa. Po jetojmë një tragjedi të vërtetë”, tha për mediat vendore një prej vullnetarëve, i cili është i angazhuar me operacionet, duke shtuar se në jetën e tij, nuk ka parë ndonjëherë ngjarje të tillë.

Nga burime jozyrtare ndërkaq, është bërë me dije se vagonët e trenit të pasagjerëve, mund të ketë pasur deri rreth 350 udhëtarë dhe fakti se shumë prej tyre ende nuk janë gjetur, reflekton se skenari i viktimave mund të bëhet edhe më i rëndë.

Ndërsa, nuk është konfirmuar ende nëse ka pasur apo jo shtetas shqiptarë në bord.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore