Kompania japoneze e automjeteve, Toyota, po rifillon operacionet e automjeteve të veta autonome në fshatin ku mbahen Lojërat Paralimpike në Tokyo.
Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se kjo ka ardhur pas një ndërprerje të shërbimit e-Palette javën e kaluar, pasi një automjet goditi një atlet me probleme shikimi.
Prej aksidentit, atleti nuk pati plagosje të rëndë, por iu desh të tërhiqej nga një ngjarje për shkak të prerjeve dhe mavijosjeve.
Tanimë që automjetet do të rikthehen pas pezullimit, do të kenë më shumë kontroll të operimit dhe staf shtesë për të siguruar që të mos përplasin më njerëz.
Aramitsu Kitazono, anëtari i ekipit xhudo të Japonisë, u godit teksa po kalonte nëpër një vendkalim për këmbësorët. Kështu, ai nuk ishte në gjendje të konkurronte në kategorinë e tij për shkak të aksidentit.
Në një deklaratë, Toyota ka sqaruar se “sensori i automjetit zbuloi kalimin e këmbësorëve dhe aktivizoi frenën automatike dhe operatori gjithashtu aktivizoi frenën e urgjencës. Automjeti dhe këmbësorët, ranë në kontakt para se të ndalonte plotësisht”.
Kompania ka pohuar se pas kësaj ngjarjeje, operatorëve do t’u jepet kontroll mbi sa shpejt udhëtojnë automjetet, me dy anëtarë të stafit të sigurisë në bord, jo një, për të ndihmuar në kujdesin për këmbësorët.
Sipas “BBC”, karakteristikat e reja të sigurisë do të përfshijnë edhe tinguj paralajmërues më të fortë, ndërsa udhëzuesit e këmbësorëve në vendkalimet e ngarkuara në fshatin Paralimpik do të rriten në 20 nga gjashtë.
Toyota ka shtuar gjithashtu se do të vazhdojë të bëjë përmirësime të sigurisë “në baza ditore” derisa të mbyllet fshati.
Dhe se po bashkëpunonte me një hetim të policisë lokale për të përcaktuar shkakun e aksidentit.
Falja e shefit ekzekutiv
Ndërkohë, shefi ekzekutiv i Toyota-s, Akio Toyoda bëri një falje publike pas incidentit.
“Një automjet është më i fortë se një person, kështu që unë padyshim u shqetësova”, ka thënë ai në një video në YouTube.
Kurse Toyoda ka thënë se aksidenti ilustron sa e vështirë ishte të përdorësh automjete vetëdrejtuese në rrethana të veçanta të fshatit gjatë Paralimpiadës, me njerëz të atjeshëm, të cilët kanë dëmtime në shikim ose kanë paaftësi të tjera.
“Kjo tregon se automjetet autonome nuk janë ende realiste për rrugë normale”, ka shtuar ai.
Ambicie autonome
Modeli e-Palette i kompanisë, një automjet elektrik plotësisht autonom, u adaptua posaçërisht për përdorim gjatë Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të Tokyo-s, me dyer të mëdha për të lejuar grupet e atletëve të hipin shpejt.
Toyota, si shumë nga rivalët e vet të industrisë motorike, po përpiqet të zhvillojë automjete autonome për të operuar të sigurt në rrugët publike.
Lidhur me E-Palette, ai u zbulua në shfaqjen e teknologjisë CES në Las Vegas në vitin 2018, me kompaninë që e shpalli atë si “një simbol të lëvizshmërisë që shkon përtej makinave për të ofruar shërbime dhe vlera të reja për klientët”.
Asokohe, Toyoda deklaroi se kompania do të transformohej nga një kompani makinash në një “kompani lëvizëse”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com