Aplikacione

TikTok-u nis verifikimin e llogarive politike në SHBA, ndalon mbledhjen e fondeve për fushatë


Platforma TikTok do të fillojë të kërkojë që llogaritë që i përkasin departamenteve të qeverisë amerikane, politikanëve dhe partive politike të verifikohen.

Po ashtu do të ndalojë videot që synojnë mbledhjen e fondeve për fushatën.

Masa vjen pasi TikTok-u dhe platforma të tjera të mediave sociale po punojnë për të shtypur keqinformimin politik përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA në nëntor.

E gjitha e shtyrë pas vitesh kritikash për lejimin e lulëzimit të përmbajtjeve të tilla në shërbimet e tyre.

Sipas vetë kompanisë, llogaritë politike mund të paraqesin një kërkesë për verifikim dhe TikTok-u do të punojë gjithashtu për të konfirmuar vërtetësinë e profileve që beson se u përkasin politikanëve ose partive politike.

Një llogari e verifikuar, e treguar nga një shenjë blu në TikTok dhe platforma të tjera, do të thotë se platforma ka konfirmuar pronësinë e llogarisë.

Prej kohësh, TikTok-u është përballur me shqyrtimin e ligjvënësve amerikanë, të cilët kanë vënë në pikëpyetje masat mbrojtëse të aplikacionit në pronësi kineze për të dhënat e përdoruesve.

Gjithashtu ka kërkuar të ruajë imazhin e tij si një vend për video kërcimi dhe skeçe, si dhe ka ndaluar reklamat politike që nga viti 2019.

Për të ndihmuar në zbatimin e ndalimit, llogaritë që u përkasin politikanëve dhe partive do të parandalohen automatikisht nga qasja në veçoritë e reklamimit.

Sipas TikTok-ut, politikat do të përditësohen për të ndaluar mbledhjen e fondeve për fushatën.

Përmbajtja që do të ndalohet sipas politikës së re përfshin video nga politikanë që kërkojnë donacione ose parti politike që i drejtojnë përdoruesit të bëjnë një donacion në faqen e tyre të internetit.

Llogaritë do të ndalohen gjithashtu nga përdorimi i veçorive të fitimit të parave të disponueshme për ndikuesit në aplikacion, si pagesat digjitale.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore