TikTok, platforma e ndarjes së videove, pritet që këtë vit të nisë një veçori të re të mesazheve në grup.
Agjencia e lajmeve, Reuters, e cila mbart ekskluzivitetin e këtij njoftimi, tregon se veçoria e re do ta vendosi aplikacionin kinez në një konkurrencë më të drejtpërdrejtë me rivalët e tjerë të mediave sociale.
Mesazhet në grup janë pjesë e planeve të kompanisë që ka në pronësi TikTok-un, ByteDance, për ta zhvilluar aplikacionin në drejtim të ndërveprimeve shoqërore.
Mirëpo, burimet të cilat kanë bërë me dije këtë lëvizje të TikTok-ut për Reuters, nuk kanë pranuar të identifikohet pasi nuk kanë qenë të autorizuar të flasin për media.
Nga ana tjetër, edhe vetë platforma nuk ka pranuar të japë komente lidhur me lëvizjen e saj të radhës.
Veçoria e bisedave në grup do ta ndihmonte platformën që t’i mbante përdoruesit më gjatë në aplikacion. Njëkohësisht, do të ndihmonte që adoleshentët dhe të rinjtë, të cilët janë target grupi i TikTok-ut, të lidhen më lehtë me njëri-tjetrin.
Nxjerrja e tiparit të bisedave në grup ka qenë pjesë e diskutimeve të ByteDance-it që vitin e kaluar. Por, kompania vendosi që mos të nxitohet pasi situata nuk ishte edhe aq e kënaqshme për të prezantuar një risi. Asokohe, TikTok-u u përball me sulme nga administrata e ish presidentit Trump dhe në të njëjtën kohë u ndalua në Indi.
Sipas burimeve të Reuters, tanimë kompania po mendon se kur dhe ku do të nisin shkëmbimet e mesazheve në grup.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka ndaluar një proces gjyqësor qeveritar që mund të ketë rezultuar në një ndalim faktik të përdorimit të aplikacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sponsorët e korporatës janë rikthyer përsëri në shërbim.
Madje, muajin e kaluar Shtëpia e Bardhë është shprehur se nuk ka ndërmarrë asnjë “hap proaktiv” të ri lidhur me planin e administratës Trump për operacionet amerikane të TikTok-ut që do të fitohen nga investitorët amerikanë.
Shqetësimet e administratës Trump kishin të bënin me sigurinë kombëtare pasi të dhënat personale të përdoruesve në SHBA mund të merreshin nga qeveria kineze.
Mirëpo, platforma TikTok, e cila numëron mbi 100 milionë përdorues në SHBA e ka mohuar diçka të tillë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com