Kosova

“The Defense Post”: Serbia do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes, synon t’i ndjek investimet e sofistikuara të Kosovës


Forca e Sigurisë së Kosovë (FSK)

Arsyeja pse Serbia do të rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes në vitin 2024, në bazë të një artikulli të publikuar në platformën e lajmeve rreth sigurisë “The Defense Post” të mërkurën, konsiderohet të jetë ndjekja e hapave të Kosovës, posaçërisht pas aprovimit të kërkesës për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Serbia do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2024 në mënyrë që ta mbajë ritmin me Kosovën – armiken kryesore e cili kohët e fundit investoi në armë të sofistikuara”, vlerëson autori i artikullit, Joe Saballa, ndërsa citohet presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili njoftoi se Serbia do t’i ndajë 740 milionë euro (804 milionë dollarë) për pajisje të reja ushtarake.

“Rreth 186 milionë euro janë në dispozicion dhe do të shpenzohen menjëherë për armatimet e prodhuara në vend. Serbia do t’i japë përparësi blerjes së tetë obuseve vetëlëvizës (NORA) dhe 30 frëngjive speciale për automjetet luftarake të këmbësorisë Lazar III. Do të prokurojë 81 automjete të blinduara luftarake Milos II dhe 26 automjete amfibe M80AB1”.

Në këtë drejtim, në artikull përmendet edhe blerja e dronëve kamikaze të prodhimit turk “Bayraktar (Flamurtar) TB-2” në mesin e vitit 2023 – nuk dihet asgjë për numrin apo çmimin – në një kohë kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë arritën në nivele shpërthyese, posaçërisht pas përshkallëzimit të situatës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Në dispozicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përveç sisitemit të fuqishëm turk “OMTAS” për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara, pritet të jetë edhe sistemi anti-tank amerikan “Javelin”, i cili shkaktoi sensacion në fushëbetejën e Ukrainës kohën e fundit – një simbol i rezistencës së forcave ukrainase ndaj agresionit të Rusisë.

Vlera e “Javelin”-it amerikanë, në bazë të Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), vlerësohet 75 milionë dollarë, ndërsa në pako përfshihen gjithsej 246 raketa FGM-148F dhe 24 njësi për lëshimin e raketave – një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të kombit të vogël ballkanik, në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore