“Thaçi është tradhtar i kombit, Rugova kolaboracionist”, Komunikata e Vetëvendosje ku akuzohej Thaçi që po merrte pjesë në varrimin e Rugovës
Në 25 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s është rikthyer edhe një komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila për nga gjuha e shkruar, është një nga komunikatat më brutale të kësaj organizate, ku ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, quhet tradhtar i kombit, derisa ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, quhet kolaboracionist i Serbisë.
“Ti dhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist, sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhtar i kombit, sepse e ke shkelur betimin e dhënë”, thuhet në shkrimin e Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Vetëvendosje madje akuzon Thaçin që ka marrë pjesë në varrimin e presidentit Rugova dhe e akuzojnë po ashtu pse e la Rugovën të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje, konferenca që solli bombardimin e NATO-s ndaj Serbisë.
“Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi. Por ti ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar që edhe të silleshe si ai. Të ka mbetur vetëm edhe gur të fillosh të shpërndash”, thuhej në komunikatë.
Duke vazhduar akuzat për Thaçin se “ti që thirresh në emër të luftës dhe në emër të atyre që dhanë jetën për çlirim, pranove që në Rambuje të jetë edhe Ibrahim Rugova, njeriu që kurrë nuk e njohu UÇK-në”.
Komunikata shkon aq larg saqë thuhet se Rugova vetëm i vdekur nuk mund të mashtrojë më, prandaj fatkeqësia është që Thaçi vazhdon të jetë i gjallë, e kështu, sipas tyre, mund të vazhdojë të gënjejë.
Ata gjithashtu akuzojnë Thaçin se “e nënshkrove Rambujenë” dhe thonë se Lëvizja Vetëvendosje “nuk do ta pranojë Kurrë”.
Komunikata vazhdon me plotë pasaktësi historike dhe brutalitete të tilla ofenduese për Thaçin e Rugovën.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë