“Terror si në Rusi dhe Bjellorusi”, Gutierrez për AP-në: Vendim i motivuar politikisht, do të krijojë një atmosferë frike në mediat në Kosovë
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, i cili ndjek prej kohësh nga afër situatën e lirisë së medias në Ballkan, është i tronditur “nga mënyra se si ministria refuzoi kërkesën e Klan Kosovës”.
Për kreun e organizatës evropiane, ky është tregues i një “qeverie të pamëshirshme” dhe është “qartësisht një paralajmërim për mediat e tjera të pavarura”.
“Mesazhi është shumë i qartë: qëllimi është të frikësohen të gjitha mediat duke u treguar atyre se qeveria ka fuqinë të mbyllë televizionin kryesor privat të vendit brenda pak javësh. Është një strategji terrori e ngjashme me atë që vërejmë në Rusi dhe Bjellorusi”, theksoi fillimisht për Albanian Post sekretari i EFJ-së.
Më herët, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi se ka refuzuar ankesën e televizionit (Klan Kosova – ed.) për rikthimin e licencës së operimit.
Sipas njoftimit të autoriteteve bëhet me dije se “ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”.
Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës.
“Kjo është me të vërtetë një ditë e zezë për të gjithë demokratët dhe për të gjithë ata që si unë shpresonin në integrimin evropian të Kosovës. Praktikat antidemokratike të klanit të VV-së do t’u japin argumente atyre që nuk e duan Kosovën në Evropë. Më vjen keq për popullin e Kosovës, i cili nuk e meritoi këtë”, shtoi Gutierrez në komentin e tij për AP-në.
Sipas tij, ky vendim është i motivuar politikisht, pasi LVV-ja bëri gjithçka që kishte në dorë për të siguruar mbylljen e një mediaje që po turbullonte interesat e tyre.
“Sigurisht që vendimi është i motivuar politikisht! Nëse analizojmë historikun e kësaj afere, është e qartë se VV-ja dhe prokurat e saj servilë në administratë bënë gjithçka që kishin në dorë për të siguruar mbylljen e një media që po turbullonte interesat e tyre. Qeveria dhe pasardhësit e saj do të bëjnë gjithçka, edhe nëse do të thotë të përdorin gënjeshtrat dhe manipulimet”, vijon ai.
Për sekretarin e EJF-së, ky rast shënon fitoren e interesave të LVV-së kundër të drejtës së qytetarëve të Kosovës për qasje në informata pluraliste.
Çfarë ndodh tani?
Sic ka sqaruar avokati Yll Zekaj për Albanian Post, se “në momentin që iu është refuzuar ankesa, do të thotë që i merret certifikata e biznesit, tash e ka si zgjidhje vetëm procedurën gjyqësore”.
Zekaj thotë se “Klan Kosova duhet të bëjë padi në Gjykatën Komerciale, departamenti administrativ me propozimin përcaktimin e masës së përkohshme, pastaj gjykata i ka tre ditë afat kohe të vendos për shqyrtimin e kësaj ankese”.
Nëse edhe Gjykata Komerciale, pra departamenti administrativ, vendos kundër ankesës së Klan Kosovës, atëherë mediumi mbyllet, sepse nuk ka licencë për operim si biznes në Kosovë.
Sipas Gutierrez, ky vendim pritet të krijojë një atmosferë “frike” në mediat në Kosovë.
“Përsëri, kjo do të krijojë një atmosferë frike në mediat në Kosovë. Dhe ky ishte qartë qëllimi i LVV-së: të frikësonte të gjitha mediat, të gjithë gazetarët në Kosovë. Por gazetarët nuk janë viktimat e vetme të këtyre praktikave antidemokratike: duke marrë mbylljen e Klan Kosovës duke shkuar në autoritet të gabuar, duke përdorur bazën e gabuar ligjore dhe duke e bazuar vendimin e tyre në dokumente që thjesht nuk ekzistojnë, pasardhësit e LVV-së duan t’i tregojnë gjithë popullatës kosovare se ata janë mbi ligjin dhe mund t’i shpëtojnë çdo gjëje”, ravijëzoi sekretari i EFJ-së për Albanian Post.
Ndërtimi i situatës
Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.
“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.
Sipas MINT-it, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.
Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Mediave.
Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kishin bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.
Po ashtu, kishin kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.
Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë